
Dita e djeshme ishte një datë e veçantë dhe historike për futbollin shqiptar, pasi presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, u zgjodh në Komitetin Ekzekutiv të organit më të lartë drejtues të futbollit, UEFA-s. Duka arriti të merrte një besim të madh nga pjesëmarrësit, pasi mori 36 vota nga 55 Federatat që gjendeshin në këtë votim.
Urimet ishin nga më të shumtat, teksa nuk mungojnë as ato që vijnë nga treva shqiptare e Kosovës. Kjo pasi flasim për një ngjarje historike, që lidhet ngushtësisht me futbollin shqiptar dhe peshën që ai do të ketë në organin më të lartë drejtues të futbollit. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi u shpreh se ky është një lajm tepër i jashtëzakonshëm për të gjithë futbollin në trevat shqiptare.
“Është ky një lajm i jashtëzakonshëm ,jo vetëm për futbollin në Shqipëri, por për futbollin gjithëshqiptarë. Duka në vazhdimësi ka ndihmuar futbollin në Kosovë, por tani zëri i tij do të jetë edhe më i fuqishëm në këtë drejtim. Me një shqiptar në qeverinë e futbollit evropian, e sidomos me z.Duka, ne të gjithë do të përfitojmë në çdo sferë të saj. Duka e ka merituar një post të tillë, sidomos me ndihmën e dhënë për ne, për avancimin e futbollit në Shqipëri. Kjo ndihmë profesionale tani do të jetë edhe zyrtare nga shtëpia e futbollit evropian. E urojmë z. Duka të kontribuoj sa më shumë në zhvillimin e futbollit mbarëshqiptar. Ndërsa nga të gjitha klubet do ta ketë çdo lloj ndihme që do t’i duhet në të ardhmen”, u shpreh Ejupi. /Shqiperia.ch/