
Zgjedhje të momenteve të fundit dhe detyrueshme, Kristal Abazaj nuk do të jetë i gatshëm për takimet që Shpresat e Shqipërisë do të zhvillojnë ndaj Spanjës dhe Estonisë.
Është vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila njofton se futbollisti i Anderlehtit është i dëmtuar dhe për këtë arsye, nuk mund të aktivizohet për kuqezinjtë e vegjël. Zëvendësimi i tij do të jetë i së njëjtit kalibër, pasi Alban Bushi ka thirrur një futbollist si Agim Zeka.
Po aq i talentuar, ky i fundit është blerë nga ekipi i Lilës, ndërsa për momentin është duke luajtur me ekipin e dytë të francezëve. /Shqipëria.ch/
Njoftimi i FSHF
Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi ka thërritur sot për të qenë në dispozicion të skuadrës, mesfushorin që luan në radhët e Leixoes në Portugali, Agim Zeka. Kjo ftesë e orëve të fundit ka ardhur për shkak të dëmtimit të futbollistit Kristal Abazaj të Anderlehtit i cili për arsye dëmtimi nuk mund të jetë pranë skuadrës për dy ndeshjet zyrtare eliminatore me Spanjën dhe Estoninë. Pak orë më parë trajneri Bushi është vënë në dijeni për këtë dëmtim të lojtarit dhe ka vendosur menjëherë të thërrasë Agim Zekën.