
Për të bërë një krahasim të drejtë dhe sa më tepër korrekt, gjithmonë duhet të marrim për bazë veten tonë ndër vite dhe pak të huajt. Sigurisht, afrimi dhe përshtatja me vendet më të zhvilluara është gjithmonë një dëshirë e madhe, por historia që kemi kaluar na bën të ndryshëm dhe prandaj hapat e hedhura nuk mund të jenë kurrë të njëjtë.
Nëse shohim zhvillim tonë ndër vite, arrihet lehtësisht në përfundimin se e ardhmja e Shqipërisë është pozitive dhe premton akoma më shumë. Vetëm për t’u kujtuar, më parë dukej e pamundur që një ekip shqiptar të na përfaqësonte në elitën e futbollit europian, atje ku ndeshen më të mirët. Në “Europa League” një gjë e tillë ndodhi me Skënderbeun.
Edhe në anën e Kombëtares, sërish ka shumë për të përgëzuar vendi ynë. Megjithëse dëshira është e madhe që të fitojmë edhe evenimente si Botërori apo Europiani, për një vend të vogël si ky i yni dhe me vështirësi financiare të tilla përtej futbollit, sigurisht që është arritur shumë. Shqipëria do të na përfaqësonte në Francë në mënyrën më dinjitoze të mundshme, duke e nisur me zbritjen që në ditën e parë në tokën franceze, e për të vazhduar me emocionet e mëdha që tifozët tanë i dhuruan edhe Europianëve, duke qenë një shembull më vete në zemrën e Europës.
Arenat futbollistike janë shtuar në numër, ndërsa tani nuk kemi vetëm një stadium ku të gjitha takimet të plasen atje. Alternativat janë të shumta, me investimin e hedhur në Elbasan, Shkodër, ndërsa është konfirmuar edhe “Arena Kombëtare” në kryeqytet, Tiranë, që pritet të jetë gati në qershor.
Në kushte të tilla, Shqipëria në ditën e nesërme, 7 shkurt, mbetet në pritje të një lajmi që mund të rezultoj historik për futbollin shqiptar. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, kandidon për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ky kongres do të mbahet në Romë, ndërsa një fitore e mundshme e Armando Dukës, do të jepte më shumë fitime për futbollin shqiptar në tërësi, pasi në këtë mënyrë do të kishte një zë të fuqishëm që do të ngrihej në organin më të lartë të vendimmarrjes në UEFA. /Shqiperia.ch/