
Shpeshherë dëshira e futbollistëve shqiptarë për të arritur në majat më të larta të këtij sporti, bëjnë që në disa raste të veçanta, të mohoet edhe origjina e prejardhjes. Fama, paratë dhe arsye të ndryshme egoiste e materiale, e kanë vrarë prej kohësh dashurinë në zemrat e njerëzve.
Sigurisht, këtu as futbollistët nuk mund të përbënin përjashtim. Rasti i fundit që diskutohet është ai i Fiorin Durmishajt. Ky i fundit ka luajtur me Shpresat e Shqipërisë, duke u quajtur si e ardhmja e Kombëtares tonë. Panuçi e ka pasur në shumë raste në qëndër të vëmendjes këtë lojtar, madje edhe duke e thirrur disa kohë më parë. Por fillimisht “ushtria” greke dhe tashmë dëshira personale, po sjellin ndarjen përfundimtare të Durmishajt me kuqezinjtë. Thirrja e bërë dhe gjithçka tjetër që na vjen nga vendi fqinj në lidhje më këtë rast sa i përket sulmuesit, është e qartë: “Shqipëri, mos më thirr më”.
Kjo shprehje tingëllon mjaft e dëgjuar për tifozët shqiptarë, pasi fjalë të tilla ka thënë edhe Elvis Kabashi. Për më tepër futbollisti që aspironte të linte në stol Pirlon asokohe, bëri gafën e madhe të linte edhe një letër të shkruar ku i kërkonte vendit të tij, të mos e shqetësonte më shumë, pasi ishte duke pritur Italinë. Më vonë do të mohonte gjithçka tha, por fjalët e Kabashit nuk do të kishin më peshën e dikurshme, si atëherë kur cilësohej si një nga talentet më të mëdha të Juventusit. Hakat e atdheut kanë bërë punën e tyre edhe në këtë rast, me mesfushori 25-vjeçar që është ende pa ekip.
Një rast i freskët mbetet padyshim edhe ai i Adnan Januzajt. “Çfarë u bë për ta sjellë në Kombëtare?” Jo, kjo nuk është pyetja e duhur! Më mirë do të ishte të pyesnim: “Çfarë nuk u bë për ta sjellë në Kombëtare?” Nga ftesa e Federatës Shqiptare të Futbollit, e deri tek tifozët “e çmendur” shqiptarë që me parullat “Adnan thuaj po Shqipërisë”, shkonin rregullisht në çdo ndeshje të Manchester Junajtid. Januzaj vetëm buzëqeshte, i tregonte me krenari yjeve të anglezëve se çfarë dashurie kishte për të, por pa e vrarë aspak mendjen për prejardhjen e atyre tifozëve dhe fjalëve që shkruheshin në ato parrulla. Me siguri që vetë Januzaj duhet ta ketë mësuar disi shqipen për t’i deshifruar sadopak ato pak fjalë, pasi një edukim nga familja me frymën e atdhetarizimit, i ka munguar ndjeshëm.
Historia është e njëjtë, me talentin e jashtëzakonshëm që bëri gjithë Europën për vete asokohe, që të gjitha ndeshjet e Sociedadit tashmë i sheh nga infiermiera. Lista e lojtarëve shqiptarë që zgjodhën Greqinë para Shqipërisë, vazhdon e pasuruar me Sotir Ninis, Andreas Tatos dhe Stefanos Kapinos. Humbje kohe do të ishte të flisnim më në veçanti për këta lojtarë, që identitetin e tyre e kanë humbur tërësisht që në emër. Shumë menduan të përfitonin duke sakrifikuar atdheun, por pak morrën në shkëmbim. Rasti i portierit Stefanos Kapinos është pak i përmendur, por edhe ky është një lojtar që ka prejardhje shqiptare, nga prindërit të tij. E lanë Shqipërinë në vitet e vështira dhe mesa duket, duke bërë si premtim të madh që nuk do e kthenin me kokën mbrapa në këtë vend. Ashtu edhe ndodhi, pasi Kapinos as që e mendoi Shqipërinë, ndërsa bëri debutimin që 17-vjeç me Panathinaikosin dhe sot ngroh stolin te Werder Bremeni.
E për ta përmbyllur, situata komike e Mërgim Brahimit e tregon më së miri mëndësinë e disa prej lojtarëve shqiptarë. Pasi erdhi te të rinjtë e Shqipërisë, Brahimi nxorri disa probleme dialektore krejtësisht të habitshme, që kulmuan me pohimin naiv: “I zgjodha kuqezinjtë, sepse më mungoi ftesa e Zvicrës. Por të jem i sinqertë, helvetët janë vitrinë më e mirë”. Mes dashurisë dhe interesit, mes atdheut dhe tokës së huaj, mesa duket edhe Fiorin Durmishaj preferon të dalë në vitrinë, si njeriu që ka lënë pas krahëve prejardhjen. Por vetë sulmuesi nuk duhet ta harrojë, ndoshta atdheun mundet ta bëj lehtësisht, por të gjithë precedentët janë kundër tij. Histori të ndryshme, fundi i njëjtë. Kush është i rradhës? /Shqiperia.ch/