
Arsenali ka fituar me rezultatin 2-0 takimin ndaj Çelsit, në takimin më të rëndësishëm të kësaj jave në “Premier League”. Një fitore me shumë vlera kjo për ekipin e topçinjve, që ka triumfuar pas golave të Lacazete dhe Koscienly.
Ky i fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, për të udhëhequr ekipin e Arsenalit. E nëse flasim për lojtarin idhull te tifozët, padyshim që ai është Granit Xhaka. Futbollisti shqiptar, si të ishte edhe kapiteni i skuadrës, menjëherë pas triumfit ka shkruar në rrjetet sociale: “Ua thashë që jemi gati”!
Pas kësaj fitore, Arsenali gjendet në vendin e 5, me vetëm 3 pikë larg Çelsit, vend ky që të siguron edhe pjesëmarrjen në “Champions League”. /Shqiperia.ch/