
Shqipëria do të ndeshet me Moldavinë në mbrëmjen e sotme, në takimin që do të luhet në “Elbasan Arena”. Por ndryshe nga më parë, tashmë entuziazmi është përtokë sa i përket tifozëve të kuqezinjve.
Kjo nisur nga rezultatet e dobëta, por edhe luhatjet e mëdha në lojën e Kombëtares. Pa dashur t’i hyjmë më gjatë analizës, të gjithë bashkohen në një pikë të përbashkët: “Ndoshta ka ardhur koha e revolucionit të vërtetë”.
Grupi i lojtarëve që e dërguan Shqipërinë në Europian me De Biazin e kanë mbyllur ciklin e tyre dhe janë mëse të lexueshëm për kundërshtarët. Panuçi e provoi disi për të bërë disa ndryshime, por jo duke e kuptuar më së miri idenë.
Kuqezinjtë kanë nevojë për futbollistë të rinjë që t’i japin tërësisht një fytyrë tjetër kësaj Kombëtare. Madje një gjë e tillë duhet të ndodhë që në shtator, duke parë se shpresat për një kualifikim të mundshëm në Europian janë të pakëta. Një afrim i ri mund t’i vijë që në mbrojtje, atje ku Anxhelo Ndrecka që ka debutuar në Seria A në moshën 17-vjeçare, t’i jepte hapësira e duhur dhe të ketë konkurrencë me Alijin.
Nga ana tjetër, Bare dhe Ndoj i japin qëndresën e duhur mesfushës. Njëri me karakter shkatërrues, ndërsa Ndoji me topat e gjatë dhe kalibrin e jashtëzakonshëm për hedhjen e sferës nga pas shpinës, do i sillte probleme të jashtëzakonshme kundërshtarëve.
Kallaku dhe Çekiçi duhet të grumbullohen sa më shpejtë të jetë e mundur nga Kombëtarja A, ndërsa në majën e sulmit është e pashmangshme që Armando Broja të marrë vendin e sulmuesit pykë te Shqipëria, nisur nga forma negative që po kalojnë gjithë lojtarët e tjerë. /Shqiperia.ch/