
Nëse nuk e gjen rrjetën, atëherë do të jetë duke ndihmuar shokët e skuadrës për ta gjetur ata golin. Ky është Florian Kamberi, që ka një nisje të frikshme në futbollin skocez.
Në javën që sapo lamë pas, talenti shqiptar ka arritur të shënojë dopietë, në fitoren e Hibernian kundër Hamilton me rezultatin 6-0. Por këto nuk janë të vetmit, në 6 ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kamberi ka shënuar 4 gola, duke asistuar edhe në një rast tjetër.
Pra, thuajse në pjesën më të madhe të rasteve, shqiptari është protagonist, ndërsa flasim për një futboll të nivelit të lartë, siç është ai i Skocisë. Futbollisti 23-vjeçar është një njohje e hershme e Shqipërisë, por nuk ka preferuar që të zgjedhë kuqezinjtë.
Për momentin distanca mes Kamberit dhe kombëtares shqiptare vazhdon të ngelet e njëjtë, pavarësisht dëshirës së herë pas hershme të kuqezinjve, për të pasur në gjirin e tyre një lojtar të tillë. Sulmuesi i Hibernian ka luajtur vetëm për grupmoshat e Zvicrës, ndërsa është ende kohë për një ndërrim të vendimit të tij. Ndoshta është më mirë vonë, se kurrë. /Shqipëria.ch/