
Trajneri i Kosovës, Shaland, bëri historinë me dardanët në “Ligën e Kombeve”, duke e fituar grupin dhe vazhduar më tej në këtë kompeticion të ri që u krijua së fundmi. Për të shkuar në ndeshjet gjysmëfinale të këtij turneu duhet të presim ende, ndërsa vëmendja e madhe fokusohet te kualifikueset e Europianit.
Në një intervistë për “Insport”, trajneri zviceran ka prekur edhe çështjen mbi zgjidhjen e lojtarëve. Kështu është vendosur sërish theksi në faktin se Shaland e pranon edhe refuzimin, që mund të vijë nga futbollistët shqiptarë në Europë.
“Unë nuk flas shumë në media për çështjen e zgjedhjes së lojtarëve, sepse është një problem me familjet, me lojtarët dhe nuk është vendim i lehtë për askënd. Ne kemi lojtarë të mirë që luajnë jashtë që kanë dy ose tri mundësi për ekipe kombëtare. Për lojtarët e rinj që përshembull janë në U21 të Zvicrës, Gjermanisë ose një vendi tjetër, nuk është lehtë të vendosin tani. Këtë e kuptoj pjesërisht. Nëse babai i një lojtari është në Kosovë dhe njerëzit i thonë “pse djali yt nuk po luan për Kosovën etj etj”.
Mirëpo, ne duhet ditur që po flasim për futboll. Nëse unë jam një futbollist i ri dhe luaj në një klub në Gjermani dhe luaj për U21 të Gjermanisë dhe më duhet të zgjedhë menjëherë, unë mund të ëndërroj të luaj për Gjermaninë. Kjo nuk është e keqe për Kosovën, kjo është vetëm futboll, është normale, është vendim normal”, u shpreh Shaland. /Shqiperia.ch/