
Jemi një popull me aq shumë vlera dhe histori të madhe, por shqiptarët e sotëm, pra ne, kemi aq shumë gjëra për të përmirësuar për të ruajtur këtë trashëgimi që na kanë lënë të parët tanë, në mënyrë dinjitoze.
Të parët për të sulmuar, e të fundit për të mbrojtur. Vetëm imagjinoni, sa shumë e kritikuam Elseid Hysajn për përfundimin e tij në stol te Napoli. Komentet ishin nga më negativet, madje edhe te ato që të demoralizonin tërësisht.
Vllazninë i kujtonin shpeshherë lojtarit në fjalë, për t’i treguar pikën se ku kishte mbërritur. Pra, vetë ne që duhet të ishim të parët në mbrojtje të tij, duke parë aftësitë që zotëron ky njeri. Për më shumë, cili futbollist tjetër është më i mirë nga shqiptarët se Hysaj? Praktikisht është pasuria e vetme që ka Shqipëria në Europë, pasi gjithë pjesa tjetër e lojtarëve luajnë në ekipe pak të njohura.
Me ardhjen e Anchelotit, shkodrani përfundoi në stol. Ishte momenti që Hysaj po kalonte një periudhë aspak të mirë dhe krize në karrierën e tij, ashtu siç i ndodh thuajse çdo lojtari, por goditjen e fundit mund t’ia kemi dhënë edhe vetë ne.
Mjaftonte të përmendim faktin se italianët i ka marrë një trajner i madh dhe kampion, për të mbërritur në përfundimin se mbrojtësi i Shqipërisë kishte përfunduar skarco. Por të shohim pak me vëmendje se ku ka shkuar Napoli me trajnerin kampion në fjalë. I dalë nga “Champions League”, i eliminuar nga Kupa pas kësaj humbje ndaj Milanit, ndërsa me një kampionat të mbyllur përpara kohe, pasi Juventusi ndodhet 11 pikë përpara.
Çfarë pune bëri Ancheloti për të përmirësuar rezultatet e Sarit? Madje ky i fundit, që e preferonte aq shumë Hysajn, e dërgonte çështjen e kampionatit deri në pesë takimet e fundit. Por tani historia është tjetër. Megjithëse aftësitë e trajneri Ancheloti nuk vihen aspak në diskutim, nuk duhet të mos pasyqrojmë faktin se te Napoli kanë plasur pakënaqësitë me ardhjen e tij, ndërsa Mario Rui në takimin e fundit refuzoi edhe t’i jepte dorën gjatë ndërrimit. Mos ndoshta nuk është faji i Hysajt dhe ende nuk e kuptojmë se është një pasuri për t’u mbajtur fortë e për të luftuar për të? Pak autokritikë nuk është kurrë keq, na ndihmon të përmirësohemi edhe më shumë, nëse nuk jemi keq. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/