
Të gjithë vëmendjen e mediave sportive europiane, e ka marrë suksesi i Ajaksit në futboll. Thuhet se asgjë nuk është e rastësishme në jetë, e kurrsesi nuk mund të jetë edhe në këtë sport. Megjithëse jemi mësuar rëndomtë që të shohim suksesin e ekipeve që investojnë më tepër para, po aq e vërtetë është edhe shprehja, se jo gjithmonë vlera monetare mund të përcaktoj triumfin.
Por atëherë, nëse paratë e kanë një mënyrë sesi mund të mposhten, cila është ajo? Edukimi! Padiskutim që mbetet e vetmja rruga për të bërë çudira dhe për të zhvlerësuar edhe çdo vlerë monetare të mundshme, sadoqoftë shuma e saj.
Edukimi në futboll vjen nga akademitë dhe le të shohim pak mënyrën sesi funksionon ajo e Ajaksit. Padyshim që është një nga më të mirat në botë, por këtu nuk do të flasim për historinë dhe lojtarët e nxjerrë ndër vite, por për mënyrën sesi punohet.
Fëmijët atje fokusohen në një trajtim shkencor, për t’i kushtuar vëmendjen edhe detajit më të vogël, që të përsosen në mënyrën e prejkjes së topit. Sigurisht, rezultati dhe fituesi vlen 0 pikë, ndërsa maksimalisht vlerësohej krijmtaria dhe pasioni i shfaqur nga lojtari.
Stërvitjet praktikohen aq herë sa futbollistët të kenë marrë leksionin e duhur, ndërsa vendosen edhe në kushte të tilla nga akademia, për të parë sesa mund ta mbajnë presionin nëse do të luanin me ekipin e parë.
Por më kryesorja te Ajaksi, është që kjo skuadër përdor sistemin TIPS. Kjo nënkupton se duhet të jesh teknik, i qartë në mënyrën e lojës, me personalitet dhe mbi të gjitha…shpejtësia në aksion. /Shqiperia.ch/