Shqipëria e ka mbyllur në vendin e tretë të grupit C, kompeticionin e “Ligës së Kombeve”. Kuqezinjtë në 4 sfida arritën të merrnin vetëm një fitore, atë kundër Izraelit në “Elbasan Arena”, me golin e Taulant Xhakës. Ishte pikërisht ky goli i vetëm që u shënua gjatë këtyre 4 sfidave dhe erdhi pikërisht nga një mesfushor.
Duhet të kujtojmë që në këto sfida, Kombëtares i mungonin shumë lojtarë deciziv, siç janë Roshi, Abrashi, Sadiku etj. Ndoshta mungesa e Armando Sadikut ishte ajo që e penalizoni më shumë skuadrën e drejtuar nga Panuçi. Pas humbjes me Skocinë, me rezultain e thellë, 0-4, sulmuesi elbasanas ka dhënë një intervistë për “Supersport”, teksa tregon se kur shikonte shokët e tij të mposhteshin në atë mënyrë dhe ai të mos mundte dot të bënte diçka për t’i ndihmuar, ndihej fajtor. Sadiku gjithashtu është shprehur se është përlotur duke parë që Kombëtarja e tij mori një humbje aq të thellë.
“Në ndeshjen ndaj Skocisë, edhe pse nuk isha në fushën e lojës, mendoja se po të isha aty do të ishte një nga ndeshjet më të dobta në karrierën time. Madje, edhe nga ekrani më është dukur si një prej ndeshjeve të mia më të dobta. Më kanë dalë lot, për atë që kemi ndërtuar në gjithë këto vite dhe të vjen shumë keq të pësosh një humbje të tillë. Jam një tip emocional dhe jam përlotur”, u shpreh Sadiku. /Shqiperia.ch/