Kur gjithçka shkonte mirë te Malaga, tifozët e ekipit spanjoll shihnin si një nga lojtarët më të mirë të ekipit Keidi Baren. Me shumë të drejtë, pasi mesfushori shqiptar e rrëmbeu shansin e tij, teksa nga ekipi i të rinjëve, i dëshmoi vlerat e tij me skuadrën e parë.
Por në momente të vështira, “furtuna” përfshin edhe lojtarin e Kombëtares. Malaga është duke vuajtur për rezultate pozitive në kampionat, ndërsa mund të thuhet se i ka larë duart me ngjitjen direkte në “La Liga”.
Megjithëse më parë gjendej shumë pranë dy vendeve të para, që të japin një biletë direkte për ngjitjen në elitën spanjolle, tashmë situata ka ndryshuar ndjeshëm. Bare ka qëndruar në stol në takimet e fundit, ndërsa dje ndaj Granadas në atë humbje me shifrat 1-0 e nisi si titullar, për shkak të mungesavë në mesfushën e Malagas.
Por për trajnerin Muniz nuk bindi me nivelin e lojës që tregoi, duke e zëvendësuar në pushimin e pjesëve. Ky mendim ishte edhe për tifozët e kësaj skuadre, që veçojnë lojën e ashpër të Bares, por këtë herë pa pasur shumë vlerësime të mira për mesfushorin shqiptar. /Shqiperia.ch/