
“E kanë vetëm me shqiptarët e Kosovës problemin”, do të më thoshte shoku im i ngushtë. Për serbët e kishte fjalën dhe në transfertë do të shkonte Shqipëria për ato kualifikuese të Europianit të Francës. Kishim tmerësisht shumë kohë që nuk e shihnim një përballje të atij niveli, e mes frikës që një surprizë e pakëndshme mund t’u ndodhte lojtarëve e dëshirës së madhe për të parë të pazakontën, Kombëtarja zbriti në Serbi.
Pritja me këmbët e para iu bë gazetarëve shqiptarë dhe trupit diplomatik që vinte nga Shqipëria, ndërsa një flamur me ngjyrat tona kombëtare, do të hapte një problem aq të madh, aqsa nuk u lejua kalimi normal i doganës. “E sheh, e kanë me të gjithë shqiptarët”, ia ktheva mikut tim, si për t’i treguar se çfarë ndeshje na priste e sa të sëmurë ishin serbët sa i përket shfaqjes së partiotizmit ekstrem.
Gjithsesi, ky incident kaloi dhe futbollistët e Shqipërisë zbritën në territorin e Serbisë. Mërgim Mavraj është figura më karizmatike e Kombëtares. E di shumë mirë pikën e dobët të Serbisë dhe me ta luajti. Dy gishta nxorri mbrojtësi shqiptar para fotografëve serbë, për të nisur me lojën: “PROVOKACIJA”.
Çfarë simbolizonte? Përse e bëri? Përse para nesh? Artikujt nisën me bombardimet e tyre dhe shitjet rekord, duke parë edhe njerëzit po aq të sëmurë rëndë për frymën e patriotizmit. Simboli i Mavrajt ishte shumë i thjeshtë, dy gishta në formë V(Victory) që tregojnë për triumfin, që do të vinte nga shqiptarët në tokën serbe.
Situata ndezi e përshkallëzoi pa ardhur data e ndeshjes, ndërsa një lirim më vete ishte puna e ndalimit që i bën tifozëve shqiptarë. “Të paktën nuk do të jenë tifozët shqiptarë në stadium”, guxova të them me vete.
Ishte hera e parë që gëzoja se tifozë shqiptarë nuk do të kishte në stadium, por duke parë keqpritjen serbe, shëndeti i bashkëkombësave vinte në rradhën e parë. Për të vazhduar me ndeshjen, ku t’ia nisim fillimisht? Nga himni shqiptar i vërshëllyer në çdo moment e me futbollistët shqiptarë që me ngjirjen e një tenori, ulërinin me të madhe vetëm që të dëgjoheshin fjalët: “Kush është burrë nuk frigohet, por vdes por vdes, si një dëshmor”.
Drithërima të përshkruanin në një moment, derisa ndjenja e frikës të pushtonte kur shihnim turmën sesi emocionohej sepse në fushë ishte përgjakur Burim Kukeli. Ashtu si vampirët që ushqehen me gjakun e njerëzëve, serbët këtë gjë donin ta bënin me shqiptarët. Ne duhej të ishim preja e tyre.
Keq u shkoi, pasi një ide gjeniale e shpalosjes së një flamuri të Shqipërisë, do të hapte kafazin ku ishin futur tifozët. Më pas ndodhi ajo që ndodhi, Lorik Cana lufton si një boksier në fushë, ndërsa Bekim Balaj mbron me trupin e tij flamurin. Alban Bushi sulet nga pankina e Kombëtares të shkoj e të siguroj flamurin që kërkohej të zhvatej nga serbët, ndërsa Orges Shehi shkoi për t’i dhënë një dorë Lorik Canës në përleshje. Si mund të më merrte gjumi në atë mbrëmje? Vetëm gjumë nuk kishte. Larg nga kryeqyteti i Tiranës dhe pa asnjë mundësi të vetme për të shkuar në aeroport për të pritur heronjtë, ajo video ku Lorik Cana shndërrohej në boksier do të kishte shkuar qindra shikime vetëm nga mua, imagjino të gjithë shqiptarët.
Pas një mbrëmje me dy orë gjumi të vetme, në mëngjes tema e vetme që diskutohej gjithëkund rrotull, ishte pikërisht ajo që ndodhi në Beograd. Shumë krenari dhe gëzim në sytë e gjithë shqiptarëve, për të treguar se çfarë ndodhi e çfarë detaji mund t’i kishte shpëtuar bashkëbiseduesit të tyre, mes asaj katrahure. E zgjohem në një mëngjes tjetër, për të kuptuar sesa shumë kanë ndryshuar gjërat. Ardian Ismajli për pak sa nuk kaloi një moment depresioni se la Kosovën për t’iu bashkuar Shqipërisë. Madje, kur u operua në muajin dhjetor të vitit që shkoi, disa shqiptarë u lumturuan: “E zunë hakat tona”. Do të ishte vetë futbollisti që do e shprehte një gjë të tillë, ndërsa kthehej në fushë me Hajdukun: “Unë erdha më i fortë, megjithëse dikush gëzoi ndërkohë që unë operohesha e menduan se ishte fundi im”.
Të tjetër quajtën tradhëtar Milot Rashicën sepse zgjodhi të shkonte te Kosova, pasi më parë luajti me Shqipërinë. E kështu me një tjetër lojtar, e një tjetër e një tjetër për të vazhduar historinë e turpshme… Por për sa kohë do vazhdojë kjo historia ku “gogoli” i një shqiptari, të jetë një tjetër që jeton disa kilometra më tej? Një gjë duhet të kuptohet shumë lehtësisht, megjithëse nuk po bëhet një gjë e tillë.
Jemi Shqipëri dhe Kosovë(Shqipëri), e jo Brazil e Argjentinë. Përsa kohë mendohet se të ndarë nga njëri-tjetri mund të arrihet suksesi duke parë Kombëtare të këtyre niveleve, aty thjeshtë sa kemi nisur hedhjen nga një lartësi e madhe, që nuk të jep më asnjë shpresë për të mbijetuar. Nuk duhet të presim një tjetër përballje me Serbinë dhe Greqinë për të qenë sërish bashkë e të fortë, këtë duhet ta bëjmë në çdo ditë të vitit. Atëherë ç’presim, nisim nga puna? /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/
(Shënim: Ky është një artikull i veçantë i punuar nga redaksia e “Shqiperia.ch”, që ka për synimin e vetëm, bashkimin e shqiptarëve)