
Shqipëria do të ndeshet në ditën e nesërme ndaj Skocisë, për të luajtur takimin e saj të dytë në Ligën e Kombeve.
Pas atij triumfi të arritur ndaj Izraelit, optimizmi është rritur dhe tifozët presin që futbollistët e Panuçit, të rikthehen në nivelin e tyre të mëparshëm, atje ku Shqipëria arriti t’i tejkalonte parashikimet duke shkuar në Europianin e Francës.
Skocezët e dinë se nesër asgjë nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë gjë, kërkojnë një ndihmë nga një shqiptar, për t’i bërë analizën Kombëtares tonë. Kush më mirë se Rudi Vata mund të ishte personi i duhur, ndërsa ish-futbollisti i Kombëtares është ndalur gjatë në pjesën ku shprehet se kuqezinjtë kanë ndryshuar shumë pas ikjes së trajnerit De Biazi.
“Shqipëria ka bërë shumë progress dhe tashmë është një vend i modernizuar. Ne e ëndërronim që të ishim pjesë e një kompeticioni të madh dhe ia dolëm në këtë arritje.
Për fatin e keq, Shqipëria tani është në një proces tranzicioni. Skuadra që na dërgoj në Euro 2016 nuk është e gjitha aktualisht.
Futbollistët që u larguan nga Shqipëria, ata që ishin në Euro2016, nuk po arrijnë dot të zëvendësohen në mënyrën e duhur. Shqiptarët e Kosovës, nuk janë në të njëjtin nivel me ata të Shqipërisë.
De Biazi gjeti një ekip në balancë. Si Skocia, që nuk kishte yje, por një shpirt të madh në skuadër. Tani Panuçi ka probleme. Ai i humbi disa miqësore dhe ka eksperimentuar aq shumë me formacionet. Nuk është skuadra që kanë qenë, por do të kërkojnë të marrin një fytyrë të re”, ka thënë Vata për mediat skoceze. /Shqipëria.ch/