Mbipopullojnë klubet zviceran por futbollistët e Shqipërisë dhe Kosovës janë kthyer në “armiq” në Zvicër. Federata e këtij vendi nuk e ka pranuar me sportivitet faktin se shumë talente i kanë dhënë lamtumirën helvetëve për të veshur fanellat e dy përfaqësueseve dhe po mundohet në çdo mënyrë që të pengojë zhvillimin e tyre.
Hapi i radhës është ai i pengimit të zhvillimit të një ndeshje miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës në territorin zviceran në fund të këtij muaji.
Federata Zvicerane mendon se kjo do të jetë një “reklamë” e dy përfaqësueseve para syve të talenteve shqiptare që aktivizohen në Zvicër, ndaj për momentin nuk ka dhënë lejen që takimi i planifikuar në fund të këtij muaji, i zyrtarizuar edhe në faqen e FIFA-s, të luhet në një nga stadiumet zvicerane.
Të dy përfaqësueset do të zhvillojnë një mini-faze përgatitore në Zvicër dhe për këtë vendasit nuk janë kundër, ashtu siç nuk janë kundër që Shqipëria të luajë atje një miqësore me Ukrainën.
.Por ata nuk kanë dhënë lejen që takimi mes Shqipërisë dhe Kosovës të zhvillohet në stadiumet e saj, duke vënë në dyshim zhvillimin e takimit dhe duke detyruar palët që të mendojnë zhvendosjen e saj në një prej vendeve fqinje, si Italia apo Austria. /vipsport.al/