
Naser Aliji është një nga futbollistët shqiptarë më në formë të momentit te Dinamo e Bukureshtit. Mbrojtësi kuqezi u rikthye në kulmin e tij, pas një periudhe të gjatë shkëputje, për shkak të një problemi familjar.
Pas një sëmundje të rëndë të babait të tij, që tashmë ka ndërruar jetë, Aliji ka sakrifikuar gjithçka për të qënë pranë në momentet e fundit. Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat rumune, lojtari i Kombëtares ka folur për gjithçka, ndërsa shprehet se Daniel Alveshi është idhulli i tij.
“Unë e nisa futbollin kur isha 5 vjeç. Pse e fillova? Sepse vëllai im luante dhe e shihja atë, duke e dashuruar këtë sport. Kontrata ime e parë profesionale ishte në moshën 18-vjeçare, një ëndërr e kthyer në realitet. Në Zvicër çdo fëmijë ka të njëjtën dëshirë, të luaj për Bazelin.
Kam luajtur në “Europa League” dhe dy herë në “Champions League”, një kënaqësi e jashtëzakonshme. Për të folur edhe për marrëdhënien me babain e ndjerë, gjithmonë kur isha i vogël më këshillonte: “Mos e bëj atë, nuk është mirë”.
Nuk i kam shqetësuar asnjëherë prindërit e mi. Ende mendoj për të çdo ditë kur zgjohem, jeta ime nuk është njësoj si më parë. Duhet të shoh përpara, jeta vazhdon. Pasi babai im vdiq, për tre apo katër muaj nuk bëra asgjë. Pastaj fillova të stërvitem. Dani Alveshi është idhulli im, lojtari më i preferuar”, ka thënë Aliji. /Shqiperia.ch/