
E kush do e mendonte se Berat Gjimshiti do të kishte një besim të tillë te Atalanta? Me fillimin e sezonit të gjithë ishin të bindur se lojtari kuqezi do të largohej nga ekipi i Bergamos pasi nuk kishte bindur me ato pak hapësira që iu ofruan nga drejtuesit.
Por asgjë nuk është e pamundur dhe Gjimshiti u kthye në lojtarin më të rëndësishëm të ekipit që kërkon “Champions Leaguen” në Serinë A. Në fakt, situata është paksa e veçantë me trajnerin Gasperini. Ky i fundit e ndryshon thuajse gjithmonë mbrojtjen, pasi edhe konkurrenca aty është shumë e lartë.
Por kur bëhet fjalë për ekipet e mëdha, gjithmonë Berat Gjimshiti gjendet në fushë. E njëjtë paraqitet situataedhe këtë herë, teksa pasi mbrojtësi shqiptar u ul në stol ndaj Kievos, Gjimshiti është projektuar si titullar në përballjen delikate ndaj Napolit. Lojtarin e Kombëtares e ndihmojnë precedentët e mëparshëm, pasi ndali në mënyrë perfekte Ronaldon dhe Ikardin, duke asfiksuar edhe Piatekun në momentin e tij shpërthyer, megjithëse sulmuesi i Milanit arriti të nxirrte një perlë nga repertori i tij. /Shqiperia.ch/