
Mund të themi se Berat Gjimshit po kalon një moment jo të mirë tek skuadra e Atalantës. Me këta të fundit deri në këtë sezon ka mundur të luajë 8 sfida, ndërsa edhe një gol e super paraqitje ndaj Interit, nuk ka mjaftuar për të siguruar vendin e titullarit.
Është pikërisht mbrojtësi tjetër bergamas, i riu Mancini, që shpeshherë e kemi parë në qendër të mbrojtjes në vendin e Gjimshitit. Italiani ka treguar një rendiment tepër të lartë dhe e ka merituar këtë vend, saqë shpesh herë ka qënë edhe përcaktues në fushën e blertë, duke shënuar në portën kundërshtare. Kjo gjë është vënë re edhe nga skuadrat e tjera, ndërsa është Roma e cila ka hyrë në tratative për të marrë shërbimet e mbrojtësit italian.
Skuadra e kryeqytetit i ka paraqitur Atalantës plot 25 milion euro për të marrë shërbimet e italianit Mancini. Nga krahu tjetër bergamasët nuk duan ta largojnë qendërmbrojtësin e tyre, por ende vazhdojnë bisedimet mes palëve.
Me një largim të mundshëm të Mancinit nga skuadra e Atalantës, Gjimshiti mund të ketë më shumë hapësira në fushën e lojës dhe nuk do e ketë të nevojshme një largim drejt Turqisë, ashtu si u përfol më parë. /Shqiperia.ch/