
Rangersi ka luajtur në transfertë ndaj Hibernianit, në takimin e vlefshëm për kampionatin skocez. Një ndeshje që pritej shumë e vështirë që në fillim për gjigantët skocezë që drejtohen nga Steven Gerrad.
Mjafton të përmendim faktin që vetëm në ndeshjen e fundit, i njëjti ekip, Hiberniani arriti të ndalte Celticun duke fituar me rezultatin 2-0. Takimi ka përfunduar në një barazim pa gola, me ekipin e Eros Grezdës që ka falur shumë raste.
Këtu nuk duhet të harrojmë atë të minutës së 45, që ka parë si protagonist Grezdën te Rangersi. Pasi merr një pasim brenda zonës dhe kishte gjithë mundësinë për të kaluar ekipin e tij në avantazh, sulmuesi shqiptar nuk i ka besuar syve me përfundimin. Gjuajtja e legjionarit tonë ka marrë një devijim në një nga mbrojtësat kundërshtarë, duke përfunduar jashtë portës.
Asgjë tjetër për t’u përmendur nga ana e futbollistit tonë, që largohet nga fusha e lojës në minutën e 84. Ndërkohë që një moment shumë i diskutueshëm ishte ai i minutës së 82, teksa një prej futbollistëve të Hibernianit ka larguar me dorë gjuajtjen e Kandelasit, por arbitri nuk ka parë asgjë për të akorduar 11-metërshin. Një paraqitje e jashtëzakonshme ishte ajo e Kamberit që luan me Hibernian, duke dhënë pasime fantastike për shokët e skuadrës, megjithëse nuk la shenjë ndaj Rangersit. /Shqiperia.ch/