Egzon Binaku do të rezultonte si gjetja perfekte e Panuçit, në takimet që Shqipëria zhvilloi në “Ligën e Kombeve”. I aktivizuar në vendin e Agollit, futbollisti i Malmos bindi menjëherë me Izraelin me nivelin e treguar.
Veçanërisht në këtë takim, Binaku dukej se do të shkëlqente edhe nëse do të aktivizohej në krahun e sulmit. Por tashmë situata ka ndryshuar ndjeshëm, me lojtarin në fjalë që duhet të hap krahun te Shqipëria.
Shanset që aktivizimi i tij si titullar të ndodhë ndaj Turqisë janë vërtet të pakëta. Kjo pasi Naser Aliji po shkëlqen me klubin e Dinamos së Bukureshtit, duke marrë fanellën e titullarit në mënyrë të padiskutueshme. Ndërkohë që te Shqipëria pritet dhe ardhja e Tomas Guidarës, që luan në krahun e djathtë të mbrojtjes. Këtu nuk përjashtohet mundësia edhe kalimit në krahë të majtë të Hysajt, ashtu siç luan edhe te Napoli. Ndërsa këtë sezon Binakun mund të thuhet se e ka harruar fushën e blertë, pasi janë vërtet të rralla aktivizimet e tij te Malmo. /Shqiperia.ch/