
Një sezon thuajse fantastik ky për sulmuesin e Shqipërisë, Rei Manaj. Sa shumë që ka ndryshuar futbollisti në fjalë, që deri përpara mbërritjes te Albacete njihej edhe si një adoleshent që nuk i gjendej e mira thuajse asnjëherë.
Tekat e tij bën që Manaj të mos arrinte majën menjëherë, megjithëse e nisi shumë pranë saj. Tek skuadra e Interit u njoh ky talent i ri, por për shkak të përkushtimit të pakët dhe mungesave të hapësirës, shumë huazime erdhën në karrierën e tij. Tashmë sulmuesi i Shqipërisë ka ndryshuar gjithçka në karakterin e tij.
I pari që shkon në stërvitje dhe po ashtu në sakrifica, Manaj ka tërhequr vëmendje nga shumë klube europiane. Sipas “Marca” dhe mediave të tjera italiane, është pranë mbylljes së marrëveshjes klubi i Albacetes me një ekip të Bundesligës për shqiptarin. Emri i skuadrës gjermane nuk bëhet ende i ditur, megjithatë së fundmi u raportuan për interesimin e Shtutgartit dhe Hanoverit.
Vlerat e marrëveshjes do të jetë rreth 5 milionë euro, ndërsa Manaj do t’i bashkangjitej Bundesligës në fundin e këtij sezoni, pra në qershor. Por këtu ka vend edhe për një përjashtim, pasi në rast se Albacete do të ngjitet në La Liga, elitën e futbollit spanjoll, atëherë dëshiron ta mbajë vetë sulmuesin e Shqipërisë. /Shqiperia.ch/