Redi Jupi është padyshim një nga emrat më të njohur të futbollit në Shqipëri. Ish-futbollisti i Shqipërisë, i është besuar kohë më parë edhe drejtimi i Shpresave, ndërsa tashmë ka hapur edhe një akademi sportive në Tiranë.
I ftuar në emisionin “Zona Gol”, Jupi ka folur gjerësisht për futbollin në Shqipëri, duke veçuar edhe problematikat e tij. Kështu, sipas tij, në vendin tonë ka vetëm një problem që vlen për t’u theksuar, shqiptarët gjithmonë shohin shumë futboll, por luajnë pak.
“Ne jemi një komb që shikon shumë futboll, por luan pak, pasi kemi numrin më të ulët të të rinjve që ushtrojnë futboll, krahasuar me rajonin dhe botën.Ajo që është për t’u theksuar, është se edhe ato pak fusha që kemi, i shohim thuajse gjatë gjithë kohës bosh. Po të shohësh në rajon, ka njerëz të grupmoshave të ndryshme, që luajnë në mënyrë të organizuar, gjë që nuk ndodh këtu.
Problem tjetër është edhe mungesa e shkollave të futbollit, pasi edhe ato pak ekipe tradite, nxjerrin futbollistë në mënyrë sporadike. Kjo bën që futbollistët shqiptarë të vijnë në futbollin profesionist me stërvitje shumë të keqe dhe me shumë pak minuta në këmbë dhe duhet të mësojnë në ndeshje zyrtare, ato që duhet t’i kishin mësuar gjatë ushtrimit të futbollit në moshë të re”, u shpreh Jupi. /Shqiperia.ch/