
Një pikë shumë e rëndësishme është ajo që Rangersi ka arritur të marrë në takimin e sotëm, duke barazuar me rezultatin 2-2 ndaj Vijarealit.
Një pikë e marrë kjo, e cila ka shijen e fitores. Kjo për dy arsye të thjeshta: E para, sepse luhej ndaj kundërshtarit që konsiderohet si favorit për të dalë në vendin e parë në grup, e për më tepër në transfertë. Ndërsa e dyta, për vetë mënyrën sesi rrodhi ndeshja. Vijareali ishte dy herë në avantazh në këtë ndeshje, por u barazua në të dyja rastet nga skocezët. Gjakftohtë dhe të saktë në momentet deçizive, padyshim që kjo e sotmja ishte një makth më vete për spanjollët, që kërkonin me ngulm fitoren.
Nga ana tjetër, Eros Grezda nuk luajti për asnjë minutë në këtë takim, i cili ka qëndruar gjatë gjithë kohës në stol. Duke parë periudhën e gjatë që futbollisti shqiptar ka qëndruar jashtë fushës së blertë, Gerrard vendosi që të mos e aktivizonte Grezdën në ndeshjen e parë të “Europa League”. /Shqipëria.ch/