
Tashmë duket si një skenë qesharake, ku trajneri i Lacio duhet të japë vetëm shfaqjen e tij. Fjalët dhe përmbajtja e tekstit shpeshherë janë të ditura, shumë përpara se italiani të shkojë në konferencën për shtyp.
Nëse ka triumf, vetëm atëherë disa fjalë mund të jenë spontane dhe të paparashikueshme, por kur është ndjenja e presionit në një humbje, Inzagi nuk ndryshon shumë. Lacio humbi ndaj Juventusit me rezultatin 1-2, në një takim ku për pjesën më të madhe të kohës u krijua ideja e fitores. Për herë të tretë gjatë këtij sezoni, në një situatë të vështirë ku trajnieri i Lacios duhet të shpjegojë se përse ekipi i tij humbi, justifikimi është i njëjtë: “Strakosha nuk bëri asnjë pritje”.
“Këtë vit unë nuk e mbaj mend Juventusin më të vështirë se sot, në Itali dhe në Evropë, futbolli është mizor, kështu që duke luajtur deri në fund ne do t’i japim kënaqësi tifozëve. Nuk mbaj mend asnjë pritje nga Strakosha, kur pësohet gol ka gjithmonë një gabim”, u shpreh Inzagi, ndërsa një shprehje të tillë identike, e ka përdorur për të tretën herë gjatë këtij sezoni. /Shqiperia.ch/