
Të gjithë u lumturuan kur u morr vendimi midis Federatës Shqiptare të Futbollit dhe shtetit shqiptar, për ndërtimin e një stadiumi me parametra ëuropiane në kryeqytetin e Shqipërisë. Kjo gjë do të bënte që Kombëtarja jonë të kishte kushte më komode për zhvillimin e ndeshjeve në skenën europiane dhe botërore.
Do të duhet dhe pak kohë që “Arena Kombëtare” të përfundojë, por mesa duket gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet. Shkak për këtë gjë është bërë një lajm nga Ministria e Financave, teksa refuzon të rimbursojë pjesën tjetër të stadiumit që po ndërtohet në Tiranë. Menjëherë pas këtij vendimi nga Ministria e Financave, FSHF, është hedhur në “sulm”, pasi jo vetëm organi më i lartë drejtues i futbollit në vend, por edhe të gjithë shqiptarët duan që ky stadium të përfundojë sa më shpejt.
FSHF në faqen zyrtare të saj, ka publikuar një kur tregon arsyet se me shumë mundësi punimet tek stadium “Arena Kombëtare” , mund të pezullohen për shkak se Ministria e Financave heq dorë nga detyrimi i saj. Sikur të mos mjaftojë politika në Shqipëri, tashmë ajo “ndyn” duart edhe me gjënë më të vetme që u ka mbetur shqiptarëve, futbollin.
“Nga Ministria e Financave vjen një lajm tjetër: Komisioni i Apelit refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo do të thotë që këtij investimi i mungojnë afërsisht 2 milionë Euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve të stadiumit vihet seriozisht në pikëpyetje.
Në bazë të VKM Nr.953, datë 29/12/2014, neni 5, pika 5, Qendra Sportive Kuq e Zi, ka bërë deklarimet kronologjike në librat e blerjes dhe shitjes të TVSH-së, duke konsideruar dhe deklaruar se qiradhënia e ardhëshme do të jetë e tatueshme. Këtë shpjegim nuk po e bëjmë për Komisionin e Apelit që sillet si një grup “tifozësh ultras”, por për ata që e dinë dhe e kuptojnë këtë procedurë ligjore.
Gjithsesi FSHF do ti drejtohet Gjykatës, për këtë çështje, por është për të ardhur keq se si një grup burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk ju ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern”, shkruan FSHF. /Rexhino Begolli-Shqiperia.ch/