Nëse gjithçka do të shkonte në mënyrën më të mirë për Sinan Bytyqin, ose më saktësisht në rrjedhën normale, atëherë ky futbollist do të luante me Pep Guardiolën. Padyshim që në kohët më të hershme cilësohej si një nga lojtarët më të mirë tek të rinjtë.
Kjo jo më kot, pasi Bytyqi i kishte shpalosur gjithmonë aftësitë e tij. Por një diagnostikim do t’i shkatërronte karrierën shqiptarit, që rezultoi me probleme në zemër. Për t’ia bërë më të lehtë dhimbjen, drejtuesit e klubit të anglezëve e zgjodhën si një skautë për të udhëtuar në shtete të ndryshme dhe për të sjellë lojtarë me talent për Mançester Sitin. Aktualisht Bytyqi ndodhet në këtë pozitë, ndërsa së fundmi ka dhënë një intervistë për “Telegrafin”:
“Detyra ime është të udhëtoj dhe t’i shikoj të gjithë lojtarët e huazuar të Cityt, pastaj e bëjë një raport për ndeshjet e tyre dhe gjendjen momentale dhe e fus në një faqe që është e klubit online dhe atë klubi e shikon gjendjen e lojtarëve.
Çdo fillim të muajit e kemi planin se ku do të shkojmë në cilin shtet. Por na bije të udhëtojmë shumë, shembull këtë javë jam në Spanjë dhe më ka ndodhur të jem në Barcelonë fillimisht, pastaj të udhëtoj drejt Malagas, kthehem përsëri në Barcelonë dhe në fund rikthehem ne Manchester, është një punë e mirë por që është edhe e mundimshme.
Zakonisht udhëtoj të premteve që të shtunën, dielën dhe hënën të jem në shtetet ku kemi lojtarët e huazuar. Javën tjetër kam për të udhëtuar drejt Holandës ku kemi disa futbollistë të huazuar dhe do t’i shikojë të gjithë nga afër.
Së fundmi kam marrë edhe detyrën të shikoj lojtarë që ia vlen për ekipin e parë të Cityt. Nëse më pëlqen një futbollist atëherë mund ta propozoj në klub dhe të vazhdojmë ta ndjekim javë pas jave.
Ka pasur raste që kam shkuar ta përcjellë një lojtar tonin që është i huazuar dhe më ka pëlqyer një tjetër futbollist ku pastaj ia kam propozuar klubit ta shikojë më shumë për ta transferuar. City transferimet nuk i bën vetëm për një ndeshje por vazhdon tani vëzhgimi rreth pesë apo gjashtë muaj”, u shpreh Bytyqi. /Shqiperia.ch/