
Ditën e sotme luajnë disa sfida të vlefshme për “Europa Ligë”, teksa ndër to, mund të veçojmë përballjen që do të luhet në qytetin e Romës, atë mes Lacios dhe Seviljas. Një vëmendje shumë e veçantë i është kushtuar kësaj përballje për shkak të rrezikut të lartë që ka në aspektin e tifozerisë.
Në qytetin e Romës, sa herë që luan skuadra e Lacios, shërbimet e sigurisë së atij vendi vihen në gadishmëri të lartë, pasi ka shumë precendent të mëparshëm që alarmojnë jo pak. Kjo për shkak se ultrasit lacial, janë tifozët më të “frikshëm”, pasi shpesh herë ata kanë bërë edhe shumë trazira jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.
Mjafton të kujtojmë sfidën mes Lacios dhe ekipit gjerman të Frankfurit para pak kohësh, ku në vigjilje të asaj ndeshje, pati përplasje mes dy tifozerive dhe për pasojë mbetën disa të lënduar.
Edhe ditën e sotme, policia e kryeqytetit të Romës ka dalë në një deklaratë, ku i shpjegon skuadrës spanjolle të Seviljas dhe veçanërisht tifozëve të tyre që të mos dalin jashtë intinerarit për sigurinë e tyre. Në këtë mënyrë garantohet që Shën Valentini të jetë pa trazira, por vetëm me festë.
“Në ditën e Shën Valentinit, zemrat e më shumë se 20 mijë njerëzve do të jenë në stadium për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës. Këtë herë, forcat policore do të jenë të pranishme për të shoqëruar tifozët miq, ku do të grumbullohen në një pikë të qytetit. Duke iu referuar ndeshjes së mëparshme mes Lacios dhe Frankfurtit, policia ka nisur një plan të ri për hyrjen e tifozëve miq. Në orën 15:00 të gjithë tifozët spanjoll do të marshojnë nën shoqërimin e uniformave blu drejt “Stadiumit Olimpiko”. Tifozët lacial janë të lutur të respektojnë intinerarin e tyre gjatë marshimit për në stadium. Këtë natë shpresa është e madhe se në kryeqytet do të ketë vetëm festë sportive”, thuhej në deklaratën e policisë së qytetit të Romës./Shqiperia.ch/