
Enea Mihaj është shumë pranë ekipit të PAOK-ut, me marrëveshjen që po shkon drejt fundit dhe po diskutohen disa detaje të vogla. Sipas të gjitha gjasave, zyrtarizimi është vetëm çështje ditësh që lojtari i Kombëtares të firmos me kampionët e Greqisë.
Ndërkohë për Mihajn ka shfaqur interesim që në merkaton e dimrit edhe Benfika, me historinë që vazhdoi edhe në lëvizjen e lojtarëve në verë. Por çfarë realisht e ndaloi këtë futbollist për t’iu bashkuar Benfikës? Sipas asaj që raportojnë mediat në Greqi, ka pasur një marrëveshje gojarisht me lojtarin, që nuk është konkretizuar kur është mësuar se portugezët i ofronin Mihajt ekipin e dytë.
Pra nëse do të transferohej te Benfika, duhej të shkonte me të rinjtë, pastaj të pretendonte për ngjitjen në ekipin e parë. Sigurisht që një lojtar i kualitetit të Mihajt, nuk mund ta bënte një gjë të tillë. Por nga ana tjetër, vetë futbollisti pëlqen që e ardhmja e tij të mbetet mister dhe asgjë të mos bëhet publike: “Unë te PAOK-u? Nuk di asgjë, menaxheri im merret me ta dhe për momentin ai ndodhet jashtë vendit. Do të komunikoj me të dhe të kuptoj se çfarë di të bëhet në të ardhmen. Nuk e di as se kur do të kthehet, asgjë tjetër për merkaton”, ka thënë Mihaj. /Shqiperia.ch/