
Më përpara ishin thjeshtë aludime që merrnin fund gjithmonë në ditën e ndeshjes. Të gjithë mund të uleshin në stol, përveç mbrojtësit të krahut të djathtë te Napoli, Elseid Hysajt.
Situata ka ndryshuar disi në ndeshjet e fundit, teksa Malcuit i blerë në Francë në sezonin që lamë pas, po e konfirmon veten gjithmonë e më shumë në formacionin e Ançelotit. Tashmë janë mediat pranë këtij klubi, ato të cilat shprehen se Hysajn e pret pankina pas ardhjes nga Shqipëria.
“Tuttonapoli”, shkruan se Malcuit është stërvitur si një “kafshë” në ditët e fundit, duke mos humbur asnjë ditë të vetme të stërvitjes. I avantazhuar nga mos thirrja në një përfaqësuese, mbrojtësi kishte mundësinë t’i tregonte vlerat e tij dhe përkushtimin trajnerit Ançeloti. E kundërta ndodh me Elseid Hysajn, që ishte i grumbulluar për dy takimet që Shqipëria zhvilloi ndaj Jordanisë dhe Izraelit.
Mbetet ende të shihet, por sipas të gjitha gjasave, mbrojtësin shkodran e pret pankina, ndërsa divorci i tij me klubin italian, duket i pashmangshëm në janar. /Shqiperia.ch/