
Mendoni se i keni dëgjuar të gjitha bëmat sa i përket lojtarëve me origjinë shqiptare dhe dëshirës së tyre për t’iu bashkuar Kombëtares tonë? Në fakt, ndoshta ende jo. Tifozët shqiptarë ndonjëherë pyesin veten gjatë këtyre kohëve: “Po me Tomas Guidarën çfarë bëhet?”.
Në kohën e Kristian Panuçit, ky ishte një nga objektivat kryesore për t’u realizuar. Futbollisti i Belgranos kërkohej nga ekipet më me emër në Spanjë, si Valencia dhe Sevilja. Vetë Guidara ndoshta e kishte harruar se origjina e largët i përkiste Shqipërisë, por Panuçi kërkoi t’ia rikujtonte duke e kontaktuar.
Mbrojtësi i Belgranos nisi ta mendonte seriozisht këtë opsion, duke u shprehur se e tundonte së tepërmi emri i trajnerit që asokohe nga drejtonte, Panuçi, i njohur gjerësisht në Europë. Sapo ky i fundit u largua për mungesë të rezultateve nga Shqipëria, menaxheri i lojtarit doli me deklaratën: “Guidara do të presë vetëm Argjentinën”. Pra e gjithë “dashuria” e këtij lojtari, ishte më shumë për trajnerin Panuçi, sesa për fanellën që do të mbante veshur. Po, vështirë se do e ketë një të dytë ky rast… /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/