Nuk i është dashur shumë kohë Vrushajt për t’u përshtatur në Holandë me ekipin e Willem II. Sapo ka debutuar me holandezët ka arritur të shënojë, për të vazhduar më pas me të tjera realizime dhe pasime vendimtare.
Sulmuesi i huazuar nga Olimpiakosi ka një të ardhme shumë të madhe përpara, duke u konsideruar si një nga talentet më të mira në Greqi, por edhe Shqipëri. Origjina e tij është shqiptare dhe këtë e ka pranuar edhe vetë futbollisti disa kohë më parë.
Për momentin Vrushaj ka përfaqësuar të rinjtë e Greqisë, por ka gjasa të madhe që t’i bashkohet kuqezinjve. Në vendin fqinj ndërkohë po luftojnë me të gjitha mënyrat, për ta mbajtur “të lidhur” pas vetes këtë lojtar.
Një prej mediave greke shprehet se për nder të Vrushajt dhe golave të tij, sa herë që ekipi i Willemit fiton, tifozët e kësaj skuadre pijnë birra greke si për të falenderuar sulmuesin. Megjithatë nëse qendrojmë në këtë llogjikë, mediat greke duhet të përgatiten që në festime të ngjashme të mëvonshme, do të shohin birra shqiptare nga tifozët e Willemit. /Shqiperia.ch/