
Një nga talentet më të mëdha në trojet shqiptare, natyrisht që është edhe lojtari dardanas, Edon Zhegrova. Mesfushori shihet si një nga futbollistët më premtues dhe gjithashtu është cilësuar si e ardhma e përfaqësueses së Kosovës.
“Shqiperia.ch” i është kthyer disa herë çështjes së këtij futbollisti, jo për të kritikuar me patëdrejtë, por për të tërhequr disi vëmendjen, e një lojtari që mund të prek majat më të larta të futbollit. E për të arritur deri këtu, sigurisht që rruga e vetme është ajo e punë dhe jo e fotografimit të momenteve të caktuara.
Zhegrova deri tani i ka kushtuar më shumë vëmendje kësaj të fundit. Me drejtuesit e GENK, ekipi që lufton për të fituar kampionatin në Belgjikë, të cilët ia kanë bërë të qartë në të gjitha format: “Kështu, nuk mund të vazhdohet”. Sa shumë ndeshje e kanë lënë jashtë fushe, ndërsa në të fundit e kanë aktivizuar vetëm një minutë, për t’i dhënë një leksion.
Sepse gjithmonë duhet bërë një ndarje mes varësisë së rrjeteve sociale, modelingut dhe futbollit. Të treja së bashku, nuk mund të ecin. Këtu vjen edhe gabimi i Zhegrovës, që duhet ta përmirësojë sa më shpejt për të mirën e karrierës së tij. Nëse 19-vjeçari do të heq dorë nga mënyra sesi e menaxhon kohën e tij, do të bëhet padyshim një yll europian. E nëse situata vazhdon në këtë mënyrë, do të vazhdojë të shkëlqejë e duket bukur, sa për foto. /Shqiperia.ch/