
Edon Zhegrova ka kaluar nga ekipi i Genkut në Zvicër, me skuadrën e njohur të Bazelit. Të paktën për një vit e gjysmë kjo do të jetë aventura e re e talentit shqiptar, që do të kërkojë të përmirësohet edhe më shumë në aftësitë e tij.
Tashmë te helvetët janë njohur paksa edhe për karakterin problematik të sjelljes së Zhegrovës, prandaj kërkojnë më tepër mendime rreth tij. “Nau.ch” ka intervistuar mesfushorin e Kosovës dhe Zurich, Hekuran Kryeziun, për të kërkuar një përshkrim rreth afrimit të ri të Bazelit.
“Unë e njoh prej një viti e gjysmë në përfaqësuese Zhegrovën. Jam shumë i kënaqur që ai përfaqëson Kosovën dhe tani erdhi te Bazeli nga Belgjika. Këtë gjë, mund ta bëjnë vetëm lojtarët e talentuar. Është vërtet i tillë, pasi ka shpejtësi me topin dhe driblime të mira.
Ka një teknikë dhe këmbën e majtë të fortë. Është një potencial i madh dhe unë bësoj se do të ketë karrierë të sukesshme. Shqiptarët te Bazeli(Xhaka dhe Ajeti) do ia bëjnë më të lehtë ambientimin në këtë skuadër dhe do e ndihmojnë në fushë”, u shpreh Kryeziu. /Shqiperia.ch/