Shumë kujtime të bukura për tifozët e Kombëtares në kohën e De Biazit, ndërsa falë këtij trajneri bëmë edhe arritjen historike në Europianin e Francës. Por pengu më i madh mbetet padyshim lënia jashtë e Milot Rashicës, me lojtarin që menjëherë zgjodhi të shkonte te Kosova.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku italian është rikthyer të komentoj shumë çështje, mes të cilave edhe zgjedhjen për Rashicën, apo një rikthim të mundshëm te Shqipëria. De Biazi u shpreh se te kuqezinjtë vjen vetëm si drejtor teknik dhe jo më si trajner.
“Shikoni, unë besoj se Duka e di që është shumë shpejt që nga koha kur unë kam ikur nga Shqipëria. Kanë kaluar thuajse një vit e gjysmë që kur kam ikur dhe nuk mendoj se është momenti për të menduar që të rikthehem. Më pas, në rolin e trajnerit, më pak akoma.
Unë mund të merrja në konsideratë që të bëja mbase postin e drejtorit teknik të Kombëtares për të kërkuar që të zhvilloj lëvizjen futbollistike nga Kombëtarja e deri te të rinjtë. Sa i përket çështjes së Rashicës, ai është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm. Por nuk pendohem që nuk e morra në Europian, pasi doja t’i jepja kënaqësinë lojtarëve që kishin kontribuar për atë arritje”, ka thënë De Biazi. /Shqiperia.ch/