You are here
Home > Kombëtarja > Për çfarë goli flisni? Shqipëria e ka gjetur ”Lorik Canën e ri”, me saktësi kirurgjikale

Për çfarë goli flisni? Shqipëria e ka gjetur ”Lorik Canën e ri”, me saktësi kirurgjikale

Kur Lorik Cana vendosi të dorëhiqej nga futbolli dhe të largohej nga kombëtarja shqiptare, prej zemrës së kësaj të fundit, u shkëput një pjesë e konsiderueshme. Le të themi se funksioni i saj nuk do të ishte i njëjtë dhe pasojat i pamë më së miri në ndeshjet në vijim.

Shqipëria e cila i bënte gjithmonë trajnerët kundërshtarë me “dhimbje koke”, pasi ishte e pamundur që t’i gjeje një hapësirë të vogël për ta shfrytëzuar, kishte nisur të fuste ujë, shumë madje. Mungesa e Lorik Canës ndihej së tepërmi në ekipin kombëtar, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Idhulli dhe kapiteni legjendar mund të them pa frikë se është zëvendësuar në mënyrë dinjitoze, madje këtë do e shohim menjëherë ndaj Turqisë. Këtu nuk po flasim për numrin e fanellës që dikush tjetër do e mbajë mbi shpinë dhe as për mënyrën e të përjetuarit të një ndeshje futbolli, pasi te Shqipëria i kemi pasur gjithmonë zëvendësuesit e Canës në këto drejtime.

Tashmë flasim për një mbrojtës si Cana, i thjeshtë, me saktësi kirurgjikale. Ardian Ismajli bëri një jehonë të madhe në fitoren e Hajdukut të Splitit me rezultatin 2-1 ndaj Lokomotivës së Zagrebit, më së shumti për golin e shënuar. Por jemi duke folur për një mbrojtës dhe nuk janë të shpeshta rastet kur do të shohim Ismajlin sesi e dërgon një top në fundin e rrjetës.

Mbrojtësi shqiptar është shpallur në formacionin më të mirë të javës, por duke u bazuar me saktësinë kirurgjikale që ka pasur përtej golit. “Telesport.telegram” është një faqe e njohur në Kroaci, e cila merret me të dhënat e sakta të lojtarëve në këtë kampionat gjatë 90 minutave.

Sipas saj, rezulton se Ismaji ka fituar 9 duele nga 11 që ka pasur në gjithsej me lojtarët e Lokomotivës, ka bërë 4 ndërhyrje të suksesshme ndaj 5 të tillave që ka provuar në total dhe ka ndërprerë 10 aksione. Për të vazhduar më tej, ka pasur 85 pasime të sakta nga 90 dhe të vetmin driblim që e ka provuar, e ka dërguar deri në fund. Pra flasim për një lojtar me saktësi shumë të madhe, ndërsa me Canën ka edhe një të përbashkët tjetër të madhe, që janë ndërhyrjet “gërshërë”. Nëse Ismajli niset për të fituar duelin me kundërshtarin, atëherë ky i fundit duhet të bëhet gati, pasi shqiptari e kërkon topin me çdo kusht dhe në të gjitha format. Sa mirë që i përket Shqipërisë…/Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top