
Zyrihu luajti në javën që sapo lamë pas, ndaj kryesuesve të kampionatin zviceran, Young Boys, në atë takim të mbyllur në rezultatin 3-3. Nga minuta e parë për Zyrihun, ishin edhe Kryeziu me Kolollin. Ky i fundit u largua i supozuar i dëmtuar nga grumbullimi i Kosovës, menjëherë pas ndeshjes me Maltën.
Por, asnjë shenjë dëmtimi apo shqetësimi nuk vihej re në fizikun e lojtarit shqiptar, në takimin ndaj Young Boys. Përkundrazi, ai luajti 87 minuta e në nivel të lartë, pavarësisht se flitej për një ndeshje me rendiment shpejtësie dhe niveli të lojës mbi mesatare. Vetë rezultati me 6 gola të shënuar tregonte sadopak se për ritmi loje po flisnim. Në Kosovë madje ngritën edhe dyshime, duke thënë se ai largim i Kolollit nga Kosova, përpara ndeshjes që dardanët do të zhvillonin ndaj Ishujve Faroe, ka qenë një marrëveshje e vetë lojtarit me trajnerin Shaland.
Ishujt Faroe u konsideruan si një kundërshtar modest nga dardanët, ndërsa Kololli duhej të largohej për në Zvicër, për t’u përgatitur për ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit. Ndërsa e gjitha kjo, në media është pasqyruar nga Federata e Futbollit në Kosovë si një largim i detyruar i Kolollit, për shkak dëmtimi.
Në lidhje më këtë çështje, ka reaguar edhe vetë futbollisti në fjalë, duke e quajtur atë largim si të detyruar. Megjithatë, fjalët e shkruara dhe shpërndarë në “Facebook” nga ana e lojtarit, nuk janë aspak bindëse. Kololli flet për një dëmtim të rikthyer, ashtu si ai që ka pasur më parë, ndërsa nëse diçka e tillë do të ndodhte, atëherë ditët e pushimit për të duhet të ishin shumë më tepër. Për të vazhduar më tej, vetë lojtari shprehet se nuk ka asgjë serioze dhe i nevojiteshin disa ditë pushimi. Por ajo që ndoshta Kololli duhet që të kuptojë në këtë mes, është se ndeshjet e Kosovës dhe përfaqësueseve të tjera, janë me pikatore gjatë një viti dhe për to duhet të luftosh me çdo kusht, për të qenë i pranishëm.
Historia e një klubi me atë të përfaqësueses ndryshon, nëse ke dhimbje në ekip, atëherë duhet të tërhiqesh për të mos rrezikuar më tej. Por nëse kjo ndodh me përfaqësuesen e sidomos me shqiptarët, atëherë duke shtrënguar “dhëmbët” duhet të tregosh sesa vlen lëkura dhe fanella, për të matur forcat me kundërshtarin. Sigurisht, këtu nuk po flasim për asnjë braktisje të mirfilltë Kolollit, por një nënvlerësim i Ishujve Faroe dallohet edhe në këtë reagim të lojtarit, që kërkon disa ditë pushimi, ndërkohë që “dardanët” luajnë fatet e tyre të europianit. Nëse Kosova do të dështonte për kryesimin e grupit dhe ato pikë të lëna ndaj Ishujve Faroe do të ishin vendimtare, atëherë kjo historia ka për t’u sjellë sërish në kujtesë. Gjithsesi, Kololli është një lojtar klasi, i veçantë dhe kjo histori thjeshtë duhet të shërbej si një leksion për t’u mos përsëritur në të ardhmen. /Shqiperia.ch/
Reagimi i Kolollit
Dua të sqaroj për gjithë opinionin e gjerë, për tifozët dardan dhe të gjithë kosovarët për mos udhtimin tim në ndeshjen mes Kosovës dhe Ishujve Fareo ka qenë për shkak të përseritjes se një lendimit që kam vujtur në 4 ndeshjet paraprake, para ndeshjes me Maltën dhe gjatë ndeshjes me Maltën me është përseritur lendimi. Kjo ka qenë e gjithë arsyeja e mos udhtimit tim dhe jo diçka tjetër për çka është folur. Fatmirsisht nuk ka qenë lendim serioz por me ka deshur t’i kem 10 dite pushime për shkak të kalendarit. Jam rikthyer shumë shpejt. Pas egzaminimeve mjeksore do të rikthehem edhe për Kombetaren me i fortë se kurrë në ndeshjet e ardhshme! BK