
Një surprizë mund të konsiderohet edhe lënia jashtë e Sidrit Guri nga ana e trajnerit Panuçi. Megjithatë aspak e palogjikshme kjo zgjedhje e italianit, pasi futbollisti shqiptar nuk është në formë të mirë dhe po vuan në Belgjikë.
Fillimisht e nisi si një titullar aventurën e re, por me kalimin e kohës, është duke e nisur ndeshjen nga pankina. Këtë herë, në barazimin e Ostendes ndaj Wasland me rezultatin 1-1, skuadra e Gurit ka ndryshuar modulin e lojës.
Shpeshherë kemi parë që Ostende të luajë me dy ose tre sulmues, ndërsa në ditën e sotme u paraqit vetëm me një të tillë. Sakala ishte në majën e sulmit, megjithëse nuk është një sulmues që shquhet për ndonjë shkëlqim të madh.
I pyetur në lidhje me këtë ndryshim moduli, ashtu siç raporton “Voetbalkrant”, trajneri i Ostendes është përgjigjur: “Nuk i kam dy sulmues të mirë”. Një kritikë kjo që vjen e drejtpërdrejtë për futbollistët e sulmit që gjenden në pankinë, mes tyre edhe Guri, që duhet të ndryshojnë diçka te vetja, përpara se të jetë shumë vonë. /Shqipëria.ch/