Deri më tani me ardhjen e Panuçit tek Kombëtarja jonë, jemi mësuar të shohim shumë lojtarë që veshin për herë të parë fanellën kuqezi. Nuk kanë munguar edhe hyrje-daljet, ku për afrimin e disave elementeve të rinj, italiani mund të themi se ka marrë notën maksimale. Ajo për çka është kritikuar Panuçi, është për mungesën e futbollistëve të kampionatit shqiptar.
Ndonëse është pjesë e kuqezinjve portieri Alban Hoxha, ai sërisht ka marrë disa komente negative. Opinioni dhe mediat vendase e kanë trumpetuar këtë fakt, madje dhe kanë insistuar për mos grumbullimin e Lorenc Trashit. Sezonin që lamë pas, 26 vjeçari i Partizanit arriti të fitonte edhe “Topin e Artë” të Superligës Shqiptare duke u shpallur si lojtari më i mirë i sezonit në kampionatin vendas.
Edhe këtë vit futbollistik, Trashi po tregon një lojë mjaft të mirë ku me ardhjen e Skënder Gegës në stolin e “demave”, ai është zhvendosur nga mesfushor i avancuar në mbrojtës i krahut të majtë.
Në intervistën e tij përpara ndeshjes me Flamurtarin që ka skuadra e tij, Lorenci është ndalur edhe tek Kombëtarja. I pyetur nga gazetarët nëse e prisnte një ftesë nga Panuçi në muajin mars, 26 vjeçari theksoi ëndrrën për të luajtur me ekipin Kombëtar.
“Çdo lojtar e ka ëndërr që të jetë pjesë e Kombëtares. Unë e kam thënë gjithmonë që do punoj shumë duke dhënë më të mirën time me skuadrën ku luaj. Çfarë do që do të vij më pas, është zgjedhja e Panuçit, çdo gjë varet nga vendimet e tij. Shpresoj”, u shpreh mes të tjerash Lorenc Trashi. /Shqiperia.ch/