Shqipëria do të luajë nesër kundër Izraelit, duke ngritur siparin e Ligës së Kombeve. Ndeshja do të zhvillohet ashtu si edhe në eliminatoret e Botërorit të Rusisë, në stadiumin “Elbasan Arena” rreth orës 20:45. Përpara ndeshjes, vetëm pak minuta më parë, tranjeri Kristian Panuçi, ka dalë në një konferencë për shtyp.
Tekniku italian është munduar të jetë sa më enigmatik me fjalët e tij, për të mos i treguar kundërshtarit asgjë nga skema dhe mënyra e lojës së tij në ditën e nesërme. I vetmi shpërthim i Panuçit, ishte në momentin kur pyetet për Kaçen, duke iu drejtuar gazetarit se ka shumë pak informacione për futbollistin në fjalë.
“Natyrisht që çdo gjë e ka një shpjegim dhe njerëzit duhet të flasin me korrektesë kur ata publikojnë gjëra të ndryshme në rrjetet sociale. Kaq mund të them për çështjen që më lidh me Bujar Nishanin.
Skuadra ndihet mirë dhe ne kemi punuar mirë. Jemi në kushte të mira për ta përballuar këtë takim.Për shkak të emergjencës thirra dhe lojtarë që nuk kishin minuta. Vendosa për eksperiencën përpara minutave. Më duhet ta them që Ergys Kaçe nuk ka pasur as minutat e duhura, keni pak informacione lidhur me këtë, duhet të vij e t’ua them unë.
Urojmë shumë që nesër të rikthehemi dhe të fitojmë. Kemi rikuperuar lojtarët që na kanë munguar dhe i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë. Në këtë fillim të ndeshjeve eliminatore i kam besuar eksperiencës së lojtarëve. Kam parë ndeshjet e para të Shqipërisë dhe Izraelit. Skuadra ka ndryshuar shumë nga ajo kohë, por gjithsesi ne e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nuk dua të tregohem jo korrekt, por unë për Skocinë do të mendojë duke nisur vetëm pas Izraelit. Nga e shtuna e tutje do të vazhdojmë për kundërshtarin e radhës”, ka thënë Panuçi. /Shqipëria.ch/