You are here
Home > Kombëtarja > Panuçi e harroi, Llullaku për “Shqipëria.ch”: Festimi im me shqiponjë, për të kujtuar Shqipërinë

Panuçi e harroi, Llullaku për “Shqipëria.ch”: Festimi im me shqiponjë, për të kujtuar Shqipërinë

Padyshim një nga futbollistët më në formë të Shqipërisë dhe që duhej me patjetër në Kombëtare, si një vlerë e shtuar e saj. Llullaku është në momentin e tij më të mirë, ndërsa me klubin e Astras luan gjithmonë si një titullar i padiskutueshëm.

Kampionati rumun ka jo pak kredite në futbollin europian, ndërsa vendimi i Panuçit për lënien e tij jashtë në takimet ndaj Izraelit dhe Skocisë, ishte një prej zgjedhjeve të pakuptueshme që tekniku italian bën në Kombëtare.

Në një intervistë për “Shqipëria.ch”, Azdren Llullaku ka treguar edhe arsyen e festimit të tij me shqiponjë gjithmonë pas golave të shënuar, duke u shprehur se kjo është një formë e të kujtuarit vendlindjen.

Një karrierë me luhatje ajo e jotja, por tashmë duket se keni gjetur formën tuaj më të mirë. Si po shkon aventura e re me klubin e Astras dhe si është marrdhënia jote me trajnerin?

Në Rumani jam duke kaluar një moment vërtet shumë të mirë. Është një kampionat ku unë e kam gjetur veten. Me trajnerin, por edhe me pjesën tjetër të skuadrës kam raportin e duhur dhe të gjithë jemi bërë bashkë për një objektiv.

Gjithmonë pas festimit të golave të tuaj, zgjidhni simbolikën e shqiponjës. Kaq shumë e ndien largësinë nga trevat shqiptare?

Ne shqiptarët jemi gjithmonë shumë patriota. E duam vendin tonë, ashtu si edhe unë. Një mënyrë për ta kujtuar Shqipërinë është edhe kjo, prandaj festoj në këtë mënyrë.

Një zgjedhje e habitshme ajo e Panuçit, teksa u morën disa lojtarë me pak minuta në këmbë dhe ju ngelët jashtë. Fillimisht, e prisni një vendim të tillë?

Zgjedhjet e  trajnerit gjithmonë duhen respektuar. Unë po punoj sa më shumë për t’u kthyer në Kombëtare. Ne kemi lojtar dhe staf të mirë, tashmë shpresoj që të kualifikohemi në Europian.

I keni ndjekur ndeshjet e Shqipërisë në Ligën e Kombeve? Si e komentoni këtë situatë aspak të mirë që po kalon Kombëtarja? Çfarë kemi humbur nga lojtarët që na dërguan në Europian?

Sigurisht, nuk mund të lë pa ndjekur ndeshjet e Shqipërisë. Nuk jemi duke kaluar një moment të mirë në Kombëtare. Por besoj se vështirësitë do të kalohen shpejtë dhe do i afrohemi objektivit tonë, për t’u rikthyer në suksesin e europianit.

Tashmë hapësirat tuaja te Shqipëria janë ngushtuar disi, pasi në të njëjtin pozicion luan edhe Eros Grezda. Si e shihni konkurrencën me futbollistin e Rangersit, a mendoni se do të keni edhe ju hapësirat tuaja në të ardhmen?

Grezda është një lojtar shumë i mirë, nuk ka dyshime për këtë. Por të dy kemi mundësi që të japim kontributin tonë për Shqipërinë. Pastaj do të jetë Panuçi ai që do të vendos për pjesën e aktivizimit.

Gjatë karrierës tuaj keni luajtur për shumë ekipe dhe në disa shtete të ndryshme. E keni ndierë ndonjëherë pjesën e racizmit për prejardhjen tuaj?

Për fatin tim të mirë, deri tani nuk e kam hasur këtë racizëm.

Për tifozët shqiptarë ka një mesazh nga ana jote sa herë që shënon, me festimin tënd. Por nëse do i drejtoheshe tifozit të 12-të të Kombëtares, cilat do të ishin fjalët e duhura?

Pavarësisht se kam realizuar shumë gola në karrierën time, përpara tifozëve shqiptarë nuk kam festuar ende. Ëndrra ime është që të shënoj golin e parë në Kombëtare dhe të festojë bashkë me tifozët. /Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top