Shumë ndryshime në formacionin e Kombëtares, teksa mesa duket se për të pasur një ide akoma më të qartë për futbollistët që do të zbresin në fushën e lojës, duhet të presim deri në ditën e nesërme.
Formacioni i provuar nga ana e Panuçit në stërvitjen e sotme rezervoi surpriza të mëdha. Kështu, në mbrojtje krahas Hysajt dhe Gjimshitit që ishin titullarë të padiskutueshëm, Veseli ka fituar balotazhin me Mavrajn, ndërsa Binaku ka ulur në stol Ansi Agollin.
Mesfusha do i besohet eksperiencës, pasi Xhaka, Memushaj dhe Basha do të jenë në qendër të saj. Sa i përket krahëve të sulmit, sërish kemi një surprizë, ndërsa Gavazaj dhe Hyka janë provuar titullarë, duke lënë jashtë kështu Eros Grezdën. Ky ishte formacioni që tekniku italian provoi në stërvitjen e sotme, ndërsa Strakosha dhe Guri ishin të padiskutueshëm në pozicionet e tyre. /Shqipëria.ch/