You are here
Home > Kombëtarja > Panucci: Na kishte mbaruar benzina, në shtator rikthehen “luftëtarët” e mi

Panucci: Na kishte mbaruar benzina, në shtator rikthehen “luftëtarët” e mi

Gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes me Ukrainën tha shumë pak, ose aspak, sepse u largua i bezdisur nga thirrjet e tifozëve, që e kritikonin për atë paraqitje zhgënjyese të kuqezinjve. Gjithsesi, Panucci, disa orë pas ndeshjes, në një komunikim të gjatë me zëdhënësin për shtyp të FSHF-së, Gerti Çarçani analizoi në detaje situatën që po kalojnë kuqezinjtë, duke e pranuar se skuardra e tij nuk ishte asgjëkundi, por me besimin se në shtator do të kthehen “luftëtarët” e tij, për të fituar betejën e madhe për të qenë në Europian.

Mister, skuadra nuk funksionion, nuk arrin ta ndezë zjarrin, çfarë nuk shkon?

Në kombëtare nuk shoh asgjë kaq të rëndë dhe kaq katastrofike, sikurse duan që të duket. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, sepse skuadrës i kishte mbaruar benzina. Kishim shumë vështirësi, sepse ne nuk jemi Brazili apo Franca. Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan, Memolla gjithashtu, kishte 5 muaj pa luajtur. Ukraina kishte të gjithë lojtarët e Shaktarit dhe të Dinamos së Kievit, pra kishte tjetër cilësi. Në këto momente, nëse nuk rikuperojmë të gjithë lojtarët e rëndësishëm, vuajmë shumë. Jam më se i bindur që kur të rikthehen futbollistët e rëndësishëm, ata që fituan në Turqi, ata që zhvilluan ndeshjen kundër Italisë dhe ata që gjuajtën drejt portës së Spanjës plot 15 herë, atëherë do të jemi konkurrues.

Kombëtarja e dy ndeshjeve të fundit nuk ishte e tillë. Pse duhet të mendojmë që do të përmirësohemi në të ardhmen, kur pas humbjes 3-0 me Kosovën, u mposhtëm 4-1 edhe me Ukrainën?

Sepse skuadra gjithmonë ka bërë mirë, sepse në fund të sezonit lojtarët ishin shumë të lodhur. Kishin pushuar për 15 ditë, pastaj erdhën në kombëtare. Nuk më pëlqen të shfajësohem, por bateritë kishin rënë plotësisht. Më vjen keq dhe jam shumë i zhgënjyer dhe i trishtuar si të gjithë shqiptarët, por është e pamundur që kjo të jetë ajo skuadër që fitoi me Turqinë. Kjo është krejt ndryshe, me shumë të rinj. Duhej të provoja shumë të rinj, të rrezikoja, që të shihja nëse dikush ishte gati për kombëtaren. Në shtator, kur të kthehen të gjithë lojtarët, skuadra do të jetë kompetitive.

3 ndeshje, 8 gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar. A nuk mendoni se është përkeqësuar shumë gjendja? Si mund të dilet nga kjo situatë?

Skuadra nuk ka bërë mirë në fazën mbrojtëse. Mavraj është një element shumë i rëndësishëm për ne, por në 5 muajt e fundit nuk ka luajtur. Edhe në mesfushë kemi humbur lojtarë të rëndësishëm, ndaj ishim të cënueshëm. Isha unë i pari, që e dija këtë. Por jam i sigurtë që kur të vijnë kualifikueset dhe të kthehen lojtarët, do të bëjmë shumë më mirë.

Keni ardhur me mendimin për të ndërtuar një skuadër sulmuese, por me ç’shihet, nuk kemi asnjë mundësi për të qenë të tillë?

Nuk kishim forcë, nuk kishim këmbë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Edhe ndaj Ukrainës luajtëm vetëm 20-25 minuta, më pas “black out” total dhe erdhi goli i parë. Duhet ta pranojmë situatën, duke shpresuar që të na kthehen shumë futbollistë. Më pëlqejnë kritikat, por kur janë të drejta dhe të ekuilibruara.

Çfarë do të thotë kritika e duhur?

Kjo e duhura dhe e ekulibruar, kur vlerësohen të gjitha situatat. Zhvilluam dy ndeshje negative, por ne nuk kemi 60 lojtarë. Kur na mungojmë vetëm 5-6 futbollistëve, shndërrohemi në një skuadër shumë më pak konkurruese. Ky është realiteti.

A mendoni akoma që kjo skuadër duhet të luajë në sulm?

Absolutisht po, sepse mendoj se është e drejtë të bëjmë kështu, kur të kthehet Grezda, kur Roshi të jetë mirë, Sadiku të jetë mirë dhe Manaj të jetë mirë. Do të provojmë të luajmë. Në këto dy ndeshje problemi nuk qëndronte te taktika mbrojtëse, apo sulmuese. Nuk kishim as kokën dhe as këmbët.

Jeni i trishtuar?

I keqardhur, sepse kemi humbur. Duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se, kur të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë një skuadër të mirë dhe do të provojmë të shkojmë në Europian.

Gazetarët pretendojnë se ndoshta nuk po merrni përgjigjet e duhura nga skuadra. A ju kuptojnë futbollistët?

Në këto dy ndeshjet e fundit ishte e vështirë, sepse ishin me pushime. Për mua ishte shumë e vështirë t’u ndizja dritën. Nuk ia dola, sepse u kishte mbaruar benzina. Gjithsesi, jam i bindur që skuadra më ndjek dhe se në shtator do të jetë krejt ndryshe.

Jeni shprehur se lojtarët kanë talent, kanë potencial, por kjo nuk po shihet…

Nuk është se nuk po shihet, por nuk kishim gjysmën e formacionit titullar. Ne jemi ekip kombëtar, por nuk kishim shumë lojtarë të rëndësishëm si Xhaka, Grezda, Memushaj, Basha…. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan dhe në nivel ndërkobëtar këto gjëra peshojnë shumë.

Të gjitha pyetjet lidhen për një mbrojtje me shumë probleme…

Në këto momente kemi shumë probleme, sepse mund të bëjmë pak ndërrime. Kemi Ajetin, që nuk luan te Crotone, Veseli ka luajtur një ndeshje në muajin e fundit, Mavraj 5 muaj pa luajtur. Shpresoj që Mavraj të gjejë shumë shpejt një ekip të ri, sepse është shumë i rëndësishëm për ne dhe duhet të luajë.

Kështu siç po shkojnë gjërat, e ndihesh i rrezikuar?

Për momentin, absolutisht jo, sepse kemi ekulibrat e duhur për të kuptuar që në nëntor gjërat shkonin mirë, me Norvegjinë, brenda ndeshjes. Nëse mendojmë që duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë gabojmë gjithçka. Nëse jemi të gjithë të bashkuar, atëherë mund t’ia dalim. Mund të humbasim, edhe të fitojmë. Nuk e mendoj aspak këtë rrezik, jam shumë i bindur në punën time.

Si mund të humbasim 4-1 pa marrë një karton të verdhë?

Për këtë i pyeta edhe lojtarët në dhomat e zhveshjes. Pati shumë pak grintë, sepse lojtarëve iu mungonte forca. Kemi luajtur më mirë me Ukrainën se ndaj Kosovës. Ukraina është shumë më e fortë se Kosova, kjo na bën të kuptojmë shumë gjëra.

Por diçka mungon kësaj skuadre…

I mungonin 7 lojtarë.

Jo vetëm për sot…

Përkundrazi, në Turqi kishim “fenomenë”. Ishim një skuadër e madhe, që luante dhe dëfrente. Tani mungojnë 7 futbollistë nga ajo skuadër. Sot mungon gjithçka.

Pas miqësores me Kosovën ju u shprehet se mungon “zjarri”, futbollistët ndaj Ukrainës ishin më mirë fizikisht…

Jo, vetëm gjysmë orën e parë. Pastaj, skuadra nuk ragoi si duhet në kokë, por ky është një moment i veçantë i sezonit.

Dështuan eksperimentet në krahun e majtë të mbrojtjes, a mendoni se duhet të kthehet Agolli?

Agolli është një futbollist 37-vjeçar, që do të thotë se në perspektive nuk mund të na ndihmojë, ndaj duhet gjetur një zgjidhje tjetër.

Pse nuk u grumbullua Sadiku, që është një sulmues që ka luajtur pak më shumë se Cikalleshi?

Në katër muajt e fundit Cikalleshi ka luajtur shumë më tepër se Sadiku. Ishte e drejtë që të thërrisja atë që kishte më shumë minuta në këmbë. Por në të ardhmen, nëse do të luajë, do të grumbullohet.

Tifozët ju kundërshtojnë, si e shihni marrëdhënien me ta?

Unë bëj punën time me shumë seriozitet, duke qenë i bindur se kam një skuadër të mirë.

A i qëndroni deklaratës suaj kur e morët detyrën se për këtë skuadër të gjithë duhet të kenë më shumë respekt?

Po, por unë nuk i shoh këto gjëra, jam i përqendruar në punën time. Kur fiton, je i zoti, por kur humbet merr shumë kritika. Unë përpiqem të jem i ekuilibruar, të kuptoj momentin dhe pse kanë ardhur këto humbje, duke e ditur që kjo nuk është Shqipëria ime. Mund të humbasësh, por jo pa luftuar. Jam i bindur se në të ardhmen do të rigjej Shqipërinë time. S’më mbetet gjë tjetër veç të qëndroj në qetësi, të punoj dhe të shpresoj që të rikuperoj futbollistët e mi.

Për të sqaruar atë episod, të ndërprerjes së konferencës për shtyp, sepse ka bërë lajm…

Ishte e keqorganizuar, sepse ishte vendosur të zhvillohej para tifozëve, që me të drejtë ishin të zemëruar me mua. Profesionalisht, edhe ju të federatës keni gabuar, sepse nuk duhej ta dërgonit aty trajnerin. Duke parë që nuk ishin kushtet e duhura për të vijuar intervistën, u largova.

Do të vijojë puna?

E përse nuk duhet të vijojë?

E kam fjalën për udhëtimet që duhet të bëni për të parë lojtarë…

Duhet të shoh edhe 2-3 lojtarë, por deri në shtator grupi duhet të jetë formuar. Kam bërë shumë eksperimente, kam parë shumë lojtarë të rinj dhe kemi kuptuar shumë gjëra. Shpresojmë që në shtator t’i rikuperojmë të gjithë dhe ta marrim shumë seriozisht.

Të bezdisin reagimet në Shqipëri? Madje edhe të ish-politkanëve…

I kuptoj dhe i lë të flasin. Kuptohet që kur je trajner i Kombëtares merr shumë kritika. Unë jam i ndershëm dhe besnik, punoj me shumë qetësi dhe kërkoj më të mirën për Shqipëria. Do të vazhdoj ta bëj detyrën time, sepse presidenti më ka dhënë besim. Deri në nëntor flitej për një Shqipëri sulmuese dhe po ndryshonte. Duhet të kemi ekuilibër, të besojmë në punën tonë dhe ta bëjmë me shumë qetësi. Por kur të shkoj në luftë dua t’i kem me vete të gjithë luftëtarët e mi. Në dy ndeshjet e fundit, nuk i pata luftëtarët.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top