
Në të gjitha mediat, bëhet një vlerësim për lojtarët në kampionatet e ndryshme, për vitin që lamë pas. E tillë është edhe analiza e italianes “Sportface”, që është ndalur edhe tek gardiani kuqezi, Thomas Strakosha.
Portieri i Lacios, prej disa kohësh është kthyer në një titullarë të padiskutueshëm tek skuadra e kaltër, ku shpeshherë është bërë edhe protagonist me pritjet e tij. Pavarësisht këtyre pritjeve, që kanë bërë jehonë jo vetëm në Itali, “Sportface” e ka vlerësuar Strakoshën me notën 5.
“Vlerësimi për Strakoshën, jo më shumë se nota 5. Rritja e tij si portier profesionist në Seria A, ka ndaluar. Një pjesë të mirë të vitit që lamë pas, është cilësuar në një errësirë të plotë, më shumë sesa në dritë”, janë fjalët që përshkruajnë gardianin shqiptar.
Gjithsesi, pavarësisht kritikave të shpeshta, Strakosha është kthyer në një pikë sigurie përsa i përket portës laciale, por edhe të Shqipërisë. Ai është vetëm 23 vjeç dhe me këtë moshë që ka mbi shpatulla, është cilësuar si nga më të mirët të moshës së tij. Ndonëse kjo media e vlersoi me notën 5, Strakosha ka treguar se meriton më shumë se kjo notë. Madje vlera e tij në tregun e lojtarëve është më shumë se 20 milion euro. Një shifër kjo që konsiderohet tepër e madhe për një portier, por me performacën që ka tregoar Thomasi, mund të theksojmë se e meriton të paguhet një shifër e tillë për të marrë shërbimet e 23-vjeçarit. /Shqiperia.ch/