
Do të ndodhte për herë të parë në histori, që derbi më i zjarrë në Skoci, por edhe në Europë, të ishte edhe një derbi shqiptarësh.
Eros Grezda nga njëra anë është një futbollist i Rangersit, teksa në fillimin e këtij sezoni u morr nga trajneri Gerrard, si një pjesë e rëndësishme e projektit të skuadrës për të ardhmen. Nga ana tjetër, me ekipin e Celtic duke nisur nga janari, mund të kemi sulmuesin me origjinë shqiptare, Florian Kamberin.
Futbollisti i cili po shkëlqen me klubin e Hibernian, sipas asaj që raportojnë mediat skoceze në orët e fundit, është objektivi kryesor i trajnerit Rodgers, për ta marrë në merkaton e dimrit. Nëse gjithçka do të mbyllej me sukses, atëherë “Old Firm” do të sillte edhe duelin Grezda-Kamberi. Ky i fundit ka qenë prej kohësh pjesë e grupmoshave të Zvicrës dhe është ende i lirë për të bërë një tjetër zgjedhje të përfaqësueses. Megjithatë, një zgjedhje e mundshme e Shqipërisë është shumë e largët, kjo nisur nga vetë dëshira e lojtarit. /Shqiperia.ch/