
Keidi Bare është rikthyer të komentojë një nga momentet më të vështira të karrierës. Në kohën kur luante me të rinjtë e Atletikos, mesfushori shqiptar do të largohej për 8 ndeshje nga fusha, pasi e kishte ofenduar rëndë arbitrin.
Tashmë kur i rikthehet pas kësaj kohe, në një intervistë të gjatë për “AS”, futbollisti shqiptar e ka komentuar këtë çështje. Ai shprehet se një gjë të tillë nuk do ta përsëris më, pasi nuk i përket këtij tipi të lojtarit, ndërsa e gjitha ishte një episod që nuk do e ketë një të dytë. Tashmë si pjesë e Malagës, kapiteni i Shqipërisë U-21 ka thënë:
“Unë nuk e prisja të gjendesha këtu kaq herët te Malaga dhe falënderoj stafin e stërvitjes dhe shokët e skuadrës, sepse gjithmonë më ndihmojnë. Isha 14 vjeç. Jam trajnuar me Atletiko Madridin për katër ditë duke u testuar atje. Shkova më pas në Gjeorgji një javë në një turne, ku unë isha mesfushori më i mirë. Ishte një përvojë e madhe ajo te Atletiko sepse kam mësuar shumë gjëra. Ka ndodhur edhe një episod kur ndodhesha me këtë skuadër, teksa do të debutoja me ekipin e parë kundër Guijuelos, por nuk mund ta bëja këtë gjë pasi më parë kisha marrë kartonin e kuq te Atletiko B. U ndieva shumë keq, udhëtova me ta dhe kisha mundësinë të debutoja më vonë në kampionatin ndaj Las Palmasit.
Tek të rinjtë e Atletikos kam kaluar 6 muajt më të vështirë të jetës sime pasi jam sjellë keq me gjyqtarin dhe më kanë dënuar. Më vjen shumë keq që e bëra një gjë të tillë, pasi unë nuk jam ai person. Nuk do ta përsëris më atë gabim sepse është një gjë e keqe për mua, për familjen time dhe për njërëzit që e shohin futbollin. Pastaj u takova me arbitrin dhe i kërkova falje”, u shpreh Bare. /Shqiperia.ch/