You are here
Home > Kombëtarja U-21 > Nuk transmetoi Shqipërinë U-21 dhe në sulm, FSHF: RTSH ka principe të prapambetura!

Nuk transmetoi Shqipërinë U-21 dhe në sulm, FSHF: RTSH ka principe të prapambetura!

Shqipëria U-21 ka dhuruar një lojë fantastike në ditën e djeshme, në atë humbje me rezultatin 1-2 ndaj Turqisë. Një debutim fantastik ishte ai për mbrojtësin Geraldo Bajramaj, apo për të vazhduar me magjinë e kapitenit Sherif Kallaku dhe qëndresën fantastike të sulmuesit Vrioni.

Por këtë ndeshje të mrekullueshme, nuk e kishin mundësinë ta shijonin të gjithë sportdashësit. Kjo për arsye se “RTSH” nuk e transmetoi këtë takim, duke zgjedhur programe të tjera në orarin e ndeshjes. Sigurisht që reagimi i njerëzve ishte i menjëhershëm drejt televizionit shtetëror, që nuk jep takimin kualifikues të Europianit sa i përket Shpresave.

“RTSH” ka dalë me një deklaratë ku sulmon hapur FSHF-në, me këta të fundit që kundërpërgjigjen, duke thënë se televizioni shtetëror ka principe të prapambetura. /Shqiperia.ch/

Reagimi i plotë

“Federata Shqiptare e Futbollit si organizatore e veprimtarive sportive të ekipit kombëtar U21 është pronare e së drejtës së transmetimit të kësaj veprimtarie. Konform ligjit “Për Sportin”, FSHF mund ta shesë këtë të drejtë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me konkurrim publik. Ky konkurrim publik është zhvilluar përmes njoftimit të datës 12.03.2019, duke ju dërguar të gjithë subjekteve transmetuese dhe në fund është shpallur fitues i vetmi subjekt i cili ka shprehur interes për ta transmetuar.

Si pjesë e kushteve të konkurrimit ka qenë edhe që transmetuesi të garantojë transmetimin në një televizion kombëtar. Nga kontaktet me transmetuesin, rezulton se kjo ka qenë e pamundur pasi për shkak të zhvillimit të disa aktiviteteve njëkohësisht sinjali është prodhuar me vonesë, por pavarësisht këtij fakti asnjë Televizion Kombëtar nuk ka shfaqur interesim për këtë aktivitet. Sjellim në vëmendjen e publikut se e njëjta skemë është realizuar edhe për ndeshjen e ekipit kombëtar A, rast në të cilin RTSH dhe DGA kanë nënshkuar kontratën përkatëse.

FSHF shpreh keqardhje për principet e prapambetura tregtare dhe jo vetëm të RTSH. E drejta e transmetimit të aktiviteteve futbollistike i takon me ligj FSHF-së, e cila mund ta menaxhojë duke ndjekur parimin e ofertës më të mirë dhe jo parimin e historisë së transmetimeve përpara hyrjes së ligjit në fuqi. Po ashtu duke qenë se veprimtaria futbollistike EURO 2020 nuk organizohet nga administrata publike dhe as nuk financohet nga buxheti i shtetit, RTSH nuk gëzon dot ekskluzivitetin e së drejtës së transmetimit.

Përtej nostalgjisë së RTSH, veprimtaria radiotelevizive në Shqipëri është e lirë dhe i përgjigjet vetëm tregut, ndaj e ftojmë të zbatojë qellimin ligjor si një transmetues i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit në shërbim të publikut kombëtar, dhe të realizojë shërbime të paanshme për të informuar e jo keqinformuar publikun si dhe duke i shërbyer kombit e jo duke shantazhuar e baltosur Federatën Shqiptare të Futbollit.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top