
Lokomotiva e Zagrebit është mundur me rezultatin 2-1 kundër skuadrës së Zapresic. Ekipit të Zagrebit nuk i kanë mjaftuar shqiptarët si Ozuni dhe Kastarti, teksa ky i fundit arriti të finalizonte golin e avantazhit, me një asist të marrë nga lojtari më i ri në Kombëtaren Shqiptare Myrto Ozuni.
Sulmuesi dardanas arriti të shënonte golin për Lokomotivën e Zagrebit në minutën e 14, pas një pasi që i dha beratasi Ozuni, teksa lojtari Kosovar nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrejtë. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, Lokomotiva e Zagrebit nuk arriti dot të merrte një rezultat pozitiv kundër klubit të Zapresic.
Me disfatën e pësuar ditën e sotme, ekipi i Lokomotivës së Zagrebit gjendet në vendin e dytë duke ndjekur ekipin tjetër të kryeqytetit kroat, Dinamos. Kujtojmë që deri në këtë fazë të kampionatit në Kroaci, dy ekipet e Zagrebit janë dy nga tre skuadrat favorite për të fituar titullin kampion. /Shqipëria.ch/