You are here
Home > Kombëtarja > “Nuk i kemi hyrë në territor Shqipërisë për Brojën dhe Kumbullën”, zyrtari i Kosovës e kthen në garë

“Nuk i kemi hyrë në territor Shqipërisë për Brojën dhe Kumbullën”, zyrtari i Kosovës e kthen në garë

Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka dhënë një intervistë së fundmi për “Faxweb” duke prekur tema që ndezin shumë polemika. Tashmë kemi kaluar nga ndjenja dhe dëshira e madhe për të pasur një Kombëtare, tek një realitet i ri dhe shumë i trishtë, për të qenë të ndarë edhe me përfaqësimin në futboll. Madje e keqja nuk ka fund, pasi po merr edhe trajtën e një gare, për të grumbulluar lojtarët shqiptar në Europë.

Kjo ishte e pashmangshme në kohën kur jemi në këtë realitet, ndërsa vetë fjalët e Shalës e tregojnë më së miri të gjithën këtë. Këtë herë është vetë zyrtari i Kosovës i cili shprehet se sipas tij futbollistët e lindur dhe dalë nga kjo trevë e Shqipërisë, duhet të luajnë vetëm me fanellën dardane. Pra që në të ardhmen e afërt, Kombëtarja kuqezi të mos ketë më asnjë shqiptar të Kosovës në përbërje. E nga ana tjetër, përmendet nga Shala se Kosova nuk i ka hyrë kurrë në territor Shqipërisë për të marrë lojtarë si Broja, Kumbulla apo Strakosha.

“Të luash për Kombëtaren e Kosovës është ndjenjë. Dhe nëse një lojtar dëshiron që të luajë për Shqipërinë apo për këdo Kombëtare tjetër, ne nuk i etiketojmë atë si tradhëtar apo me çfarëdo etikete tjetër. Ne i japim shansin dhe në fund është trajneri që vendos. Nuk veprojmë kurrë në mënyrën që ta djegim një lojtar me 2 minuta dhe që të mos shkojë në asnjë Kombëtare tjetër. Se kemi bërë kurrë më parë dhe nuk e bëjmë as tani. Dera e Kombëtares së Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë lojtarët që duan të jenë pjesë e jona. Në fakt nuk është se kemi ndonjë marrëveshje me Shqipërinë që të mos kërkojmë për të njëjtët lojtarë.

Parimisht unë jam që lojtarët nga Kosova të luajnë vetëm për Kosovën. Federata e Futbollit të Kosovës nuk është se i ka hyrë shumë në territor Shqipërisë le të themi. Neve nuk i jemi afruar ndonjëherë Armando Brojës, Marash Kumbullës apo Thomas Strakoshës. Pra nuk i jemi afruar asnjë lojtari që ka rrënjët nga Shqipëria. Nuk e shoh se është e nevojshme të kemi një marrëveshje me FSHF për të mos kërkuar të njëjtët lojtarë, pasi parimisht e them dhe njëherë, jam që lojtarët nga Kosova ta kenë si prioritet Kosovën. Gjithsesi nuk do të më vinte keq edhe nëse e zgjedhin Shqipërinë”, ka thënë Shala. /Sport Ekspres/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top