
E kush do ta mendonte më parë se një shtatshkurtër si Taulant Xhaka mund të përdorej si qendërmbrojtës? Fillimisht u duk si një “lathitje” e teknikut zviceran, Koller, që e vendosi lojtarin shtatshkurtër në prapavijë si lojtarin e fundit të mbrojtjes.
Kjo sepse vetë qendërmbrojtësit preferohen gjithmonë të jenë shtatlartë, për të larguar topat me kokë nga krosimet që vijnë nga kundërshtarët. Në këtë logjikë të lojës, Xhaka nuk favorizohet. Më parë e ka bërë edhe tekniku Souza, por vetëm njëherë, pa e përsëritur gjatë.
Ndërsa Koller e përsërit, ashtu siç bëri edhe në kampionat, merr të njëjtin vendim në takimin që po zhvillohet ndaj Winterthurit për Kupë. Taulant Xhaka është aktivizuar si qendërmbrojtës dhe ka ndërruar vendin me Balantën. Ky i fundit më parë ishte në mbrojtje dhe tashmë ka kaluar në mesfushë, duke marrë vendin e futbollistit të Shqipërisë.
Këtë situatë duhet ta ndjekë më vëmendje edhe Panuçi, që kohët e fundit ka vuajtur jo pak për qendërmbrojtës, duke parë formën e momentit të lojtarëve shqiptarë dhe dëmtimet që janë duke kaluar. /Shqiperia.ch/