
“Është ëndrra më e madhe e Uzunit që të veshë fanellën e Shqipërisë, por edhe e imja. Shpresoj të mos vdes pa e parë djalin tim veshur me fanellën e Shqipërisë”, do të shprehej vetëm para pak muajsh për “Shqiperia.ch”, babai i Myrto Uzunit.
Sa shpejt që koha kalon dhe tashmë situata ka ndryshuar në mënyrë shumë drastike. Vetë babai i Myrtos, duhet të buzëqesh disi me një deklaratë të tillë, pasi djali i tij jo i vetëm që e fitoi fanellën e Kombëtares, por u shpall edhe si më i miri. Në një sondazh të tonin për lojtarin e vitit, mes shumë komenteve, Uzuni “e vrau” votimin duke dalë mbi të gjithë brenda pak orëve.
Gjithçka e merituar dhe “Shqiperia.ch” do të jetë gjithmonë në mbështetje të modeleve të Kombëtares, ku padyshim veçohet edhe lojtari ynë që luan me Lokomotivën e Zagrebit. Asnjë ndihmë të vetme për të arritur deri në këtë moment ku ndodhet aktualisht, madje shumë pengesa në rrugën e tij. Megjithatë Uzuni asnjëherë nuk është ndalur, duke u kthyer në lojtarin më të rëndësishëm të Lokomotivës dhe njeriun kryesor të planeve të Panuçit. Instagrami dhe rrjetet sociale? Merren të tjerët, nuk janë për Myrton. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/